Sport
Pamje të papara në Kupën e Shqipërisë: Mjeku futet në fushë për dëmtimin në kokë, kundërshtari i merr çantën
Reklamë e Sponsorizuar
Një episod sa i pazakontë aq edhe skandaloz ka shoqëruar minutat e fundit të sfidës së Kupës së Shqipërisë mes Orikut dhe Butrintit, duke sjellë në vëmendje situata që rrallë mund të shihen në fushat e futbollit profesionist.
Gjithçka ka ndodhur në minutën e 85-të të takimit, kur pas një dyluftimi në ajër, një futbollist i skuadrës së Orikut ka pësuar një goditje të fortë në kokë dhe ka mbetur i shtrirë në tokë. Pavarësisht rregullores së rreptë që urdhëron ndërprerjen e menjëhershme të lojës në rastet e dëmtimeve në kokë, kryesori Klodian Shahini ka lejuar që loja të vazhdojë normalisht.
Kjo situatë ka detyruar mjekun e Orikut të futet me shpejtësi në fushën e blertë për t'i dhënë ndihmën e parë lojtarit të dëmtuar dhe për të verifikuar gjendjen e tij shëndetësore, ndërkohë që aksioni vijonte pa u ndalur. Megjithatë, situata ka degraduar kur një nga lojtarët e Butrintit i është afruar mjekut, i ka marrë çantën e ndihmës së shpejtë dhe e ka hedhur jashtë kufijve të fushës, teksa topi ishte ende në lojë.
Vetëm pasi topi ka dalë jashtë vijave fundore, arbitri kryesor i është drejtuar vendit të ngjarjes duke i kërkuar stafit mjekësor që të largohet nga fusha. Menjëherë pas tij, edhe gjyqtari i katërt ka ndërhyrë për të kritikuar mjekun për këtë hyrje të pautorizuar, pavarësisht shpjegimeve të vazhdueshme të këtij të fundit se ndërhyrja e tij ishte jetike për shkak të goditjes që lojtari kishte marrë në kokë.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: