Sport
Banka e Shqipërisë jep alarmin: Tensionet globale do të shtrenjtojnë çmimet gjatë gjysmës së parë të vitit të ardhshëm
Reklamë e Sponsorizuar
Qytetarët shqiptarë mund të përballen me një valë të re të shtrenjtimit të produkteve gjatë gjashtëmujorit të ardhshëm, pasi tregjet ndërkombëtare vazhdojnë të ndikohen nga pasiguritë dhe situata e tensionuar gjeopolitike.
Gjatë konferencës për politikën monetare, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, bëri të tregohet kujdes duke theksuar se projeksionet e reja tregojnë një tendencë rritëse të inflacionit për dy tremujorët e ardhshëm, ndonëse ky fenomen vlerësohet si i kufizuar në kohë dhe intensitet.
“Përditësimi i parashikimeve tregon se inflacioni ka gjasa të rritet më tej gjatë dy tremujorëve në vijim. Megjithatë, kjo rritje pritet të jetë e moderuar dhe e përkohshme. Më pas, duke filluar nga mesi i vitit të ardhshëm, inflacioni pritet të vijë në rënie graduale drejt objektivit. Nga ana tjetër, vëllimi i aktivitetit ekonomik në vend pritet të rritet me ritme të qëndrueshme dhe pranë potencialit, duke pasqyruar bazat solide të rritjes dhe ambientin stimulues financiar”, u shpreh guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko.
Pavarësisht presioneve të reja mbi çmimet, autoriteti monetar ka vendosur të mos ndryshojë normën bazë të interesit, mbështetur nga ecuria pozitive e ekonomisë vendase, e cila shënoi një rritje prej 3.6% në tremujorin e dytë, ndërsa hovi i kredidhënies për sektorin privat ka arritur në 15.4%.
“Bazuar në këto konsiderata, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të mbajë të pandryshuar qëndrimin e politikës monetare në mbledhjen e sotme. Megjithatë, këto parashikime, si dhe prania e rreziqeve të kahut të sipërm mbi inflacionin, forcojnë premisat për një lëvizje në kahun normalizues të qëndrimit të politikës monetare në të ardhmen”, shtoi kreu i bankës qendrore.
Aktualisht, treguesi i inflacionit ka tejkaluar objektivin e përcaktuar, duke regjistruar nivelin 3.2%, ndërkohë që shporta e ushqimeve zë rreth 40% të totalit të buxhetit mujor për familjet në vend. Çdo lëvizje e mëtejshme e çmimeve pritet të rëndojë ndjeshëm buxhetin familjar të qytetarëve.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: