Kronikë
Stamboll: Konflikti në shkollë përfundon në gjak, 16-vjeçari plagos me thikë tre bashkënxënës
Reklamë e Sponsorizuar
Një tjetër ngjarje e rëndë ka tronditur sistemin arsimor në Stamboll brenda 24 orëve, ku një mosmarrëveshje mes nxënësve të së njëjtës klasë në lagjen Esenyurt ka degeneruar në përdorimin e armës së ftohtë.
Sipas informacioneve zyrtare, një 16-vjeçar dyshohet se ka qitur thikën dhe ka goditur dy prej shokëve të tij të klasës, përkatësisht të moshës 15 dhe 14 vjeç. Gjatë kësaj përleshjeje fizike, një tjetër nxënës 14-vjeçar që ndodhej pranë vendit të ngjarjes ka pësuar plagë të lehta.
Ngjarja ka ndodhur brenda mjediseve të një shkolle të mesme të vendosur në lagjen Barbaros Hayrettin Pasha. Për shkaqe që mbeten ende të paqarta, një debat verbal mes adoleshentëve është shndërruar në një konfrontim të dhunshëm brenda bankave të shkollës.
Nga hetimet e para të kryera nga strukturat e rendit, rezulton se i mituri 16-vjeçar ka sulmuar me thikë dy bashkëmoshatarët e tij, ndërsa i riu i tretë ka mbetur i lënduar aksidentalisht gjatë sherrit. Pas sinjalizimit të dhënë në numrat e emergjencës, njësitë policore dhe ekipet mjekësore mbërritën menjëherë në vendngjarje.
Të plagosurit u trajtuan në vend me ndihmën e parë mjekësore dhe më pas u dërguan me urgjencë në spital, ku po vijojnë trajtimin mjekësor. Autori i dyshuar i ngjarjes, 16-vjeçari, është ndaluar nga autoritetet policore, ndërkohë që hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të motiveve dhe rrethanave të këtij incidenti.
Kujtojmë se vetëm një ditë më parë, një tjetër ngjarje tragjike tronditi Stambollin në Başaksehir, ku një 15-vjeçare sulmoi me thikë tetë nxënës të një shkolle të mesme. Si pasojë e atij sulmi, një 10-vjeçare ndërroi jetë në spital disa orë më vonë.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: