Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Sport

Letra prekëse e kreut të Federatës Argjentinase për Messin pas lamtumirës historike

Redaksia Lajmetereja • 07-10-2026 13:21
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
Letra prekëse e kreut të Federatës Argjentinase për Messin pas lamtumirës historike
Kreu i Federatës Argjentinase të Futbollit (AFA), Claudio “Chiqui” Tapia, ka përcjellë një dedikim tejet emocional për Lionel Messin, pas paraqitjes së fundit të yllit argjentinas me fanellën e kombëtares. Pas një karriere 21-vjeçare me fanellën bardhekaltër, e cila u mbyll me fitoren 3-0 ndaj Beninit në stadiumin “Monumental”, Tapia ka zgjedhur fjalët më të ndjera për të përmbledhur këtë rrugëtim të jashtëzakonshëm të kapitenit. “Erdhi dita, heroi im i preferuar. Erdhi ajo ditë që askush nuk donte të vinte”, ka shkruar ndër të tjera drejtuesi i futbollit argjentinas. Në letrën e tij, Tapia ka vënë në pah se trashëgimia e yllit argjentinas shtrihet shumë më gjerë se statistikat, trofetë apo golat e shënuar gjatë viteve. “Ajo është te çdo fëmijë që hyn në një klub me një top nën sqetull, duke ëndërruar të bëhet Messi. Është te çdo argjentinas që mësoi prej teje se humbja nuk do të thotë të jesh i mundur. Është te çdo shok skuadre që pati mundësinë të ndajë dhomën e zhveshjes me ty. Dhe është te kjo Kombëtare, e cila kuptoi se lavdia ndërtohet duke punuar, duke qenë modest dhe duke ecur së bashku”, vijon rrëfimi i tij. Duke reflektuar mbi këtë moment historik, presidenti i AFA-së pranoi vështirësinë e të folurit për një mbyllje cikli dhe për ndeshjen e fundit të numrit 10. “Është e vështirë të flasësh për një ndeshje të fundit, për një herë të fundit, për një cikël që përfundon. Sepse do të donim ta ndalonim orën dhe t’i kërkonim futbollit edhe pak kohë. Por ndoshta jeta është edhe të kuptosh se disa momente janë kaq të jashtëzakonshme pikërisht sepse nuk zgjasin përgjithmonë”. Në mbyllje të letrës, Tapia i ka shprehur mirënjohjen e thellë Messit për gjithçka që ka dhënë për kombëtaren e vendit të tij. “Faleminderit për çdo gëzim. Faleminderit sa herë që u ktheve. Faleminderit që nuk u dorëzove kur ishte më e lehtë ta bëje. Faleminderit që mbrojte ngjyrat tona me dashuri, respekt dhe krenari”. Dedikimi është mbyllur me një mesazh kuptimplotë për përjetësinë e legjendës në zemrat e argjentinasve. “Erdhe. Luajte. Ëndërrove. Vuajte. Këmbëngule. Fite. U kurorëzove. Dhe u bëre i përjetshëm. Sot përfundon një cikël. Por historia jote me Argjentinën nuk përfundon këtu. Fanellat një ditë varen. Ndeshjet përfundojnë. Stadiumet shuhen. Dhe për sa kohë të ketë një top që rrotullohet në vendin tonë, për sa kohë një fëmijë të festojë një gol me fanellën bardhekaltër, për sa kohë një argjentinas të kujtojë se ku ishte më 18 dhjetor, ti do të jesh aty. Heroi im i preferuar. Faleminderit për gjithçka, Leo. Kjo do të jetë gjithmonë shtëpia jote.”
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:
Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar