Sport
Humbje e rëndë për sportin: Ndërron jetë në moshën 35-vjeçare ish-volejbollistja e njohur Stefania Corna
Reklamë e Sponsorizuar
Komuniteti i volejbollit është zhytur në pikëllim të thellë pas lajmit për ndarjen nga jeta të ish-sportistes italiane Stefania Corna, e cila u shuajt në moshën 35-vjeçare. Ajo nuk ka mundur të fitojë betejën e gjatë dhe të mundimshme me një sëmundje të rëndë, me të cilën u përball deri në momentet e fundit me forcë dhe guxim të jashtëzakonshëm.
E njohur për rolin e saj si pasuese, Corna i hodhi hapat e parë në këtë sport pranë akademisë së klubit prestigjioz Foppapedretti Bergamo. Gjatë rrugëtimit të saj sportiv, ajo la gjurmë në disa skuadra të njohura. Gjatë edicionit 2011/12, ajo arriti ngjitjen në Serinë A1 me fanellën e Giavenos, për t'u transferuar më pas te Pomi Casalmaggiore.
Ajo ka djersitur fanellat e klubeve si Montichiari dhe Scandicci, ndërsa ka provuar edhe eksperienca ndërkombëtare jashtë kufijve të Italisë, duke u aktivizuar për Kanti Schaffhausen në Zvicër dhe Carthage në Tunizi. Pas rikthimit në vendlindje, ajo shkëlqeu me paraqitjet e saj te Malie dhe Cutrofiano, skuadër me të cilën realizoi ngjitjen në Serinë A2, ndërsa në edicionin 2022/23 u shpall kampione e Serisë B1 me Costa Volpino.
Faza e fundit e karrierës së saj aktive si lojtare u mbyll përfundimisht në sezonin 2023/24, kur u aktivizua me Blu Volley Pesaro. Pas largimit nga fusha e lojës, Stefania i’u përkushtua një tjetër pasioni të hershëm, atij të gjuhëve të huaja, duke ushtruar profesionin e mësueses së gjuhës angleze.
Federata Italiane e Volejbollit (FIPAV) ka konfirmuar zyrtarisht se Corna ka ndërruar jetë pas një sëmundjeje të zgjatur. Në njoftimin e federatës thuhet: "Ajo ishte pasuese nga Bergamo dhe u formua te Foppapedretti Bergamo. Gjatë karrierës luajti në disa ekipe të Serisë A, përfshirë: Milani, Parma, Pavia, Giaveno, Casalmaggiore, Montichiari, Scandicci."
Ndër sukseset më të spikatura të karrierës së saj mbeten triumfet me kombëtaren e grupmoshave të reja të Italisë, ku Corna fitoi dy tituj kampionë evropianë me Përfaqësuesen U21/Juniorë në vitet 2006 dhe 2008. Ndërkohë, ajo pati privilegjin të debutojë me ekipin kombëtar senior të Italisë më 7 qershor 2011, në kuadër të turneut 'Montreux Volley Masters', në sfidën kundër Kubës që u mbyll me rezultatin 1:3.
Nëpërmjet një deklarate zyrtare, FIPAV ka theksuar se Presidenti Giuseppe Manfredi, dy zëvendëspresidentët, sekretari i përgjithshëm, Këshilli Federal dhe i gjithë komuniteti i federatës i dërgojnë ngushëllimet më të sinqerta familjarëve dhe të afërmve të saj.
Ceremonia e lamtumirës së fundit do të organizohet më 9 tetor, duke filluar nga ora 10:00, ku miqtë, familjarët dhe adhuruesit e sportit do të kenë mundësinë t'i bëjnë homazhet e merituara.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: