Sport
Play-off i Botërorit: Kuqezuget e vajzave gati për historinë, Hamonikaj dhe Bajraktari besimpuna para duelit me Uellsin
Reklamë e Sponsorizuar
Kombëtarja shqiptare e femrave po jeton ditët e saj më të rëndësishme në arenën ndërkombëtare, ndërsa më 9 tetor do të zbresë në fushë për sfidën e parë historike të fazës play-off të Kampionatit Botëror kundër Uellsit.
Grupi i drejtuar nga stafi teknik është vendosur në qytetin e Shkodrës, ku po zhvillon seancat e fundit stërvitore me përqendrim maksimal, me synimin e qartë për të regjistruar një paraqitje dinjitoze dhe për të siguruar një rezultat pozitiv para takimit të kthimit.
Në prag të këtij eventi madhor për futbollin e femrave në vendin tonë, futbollistet Klea Hamonikaj dhe Arbiona Bajraktari kanë ndarë opinionet e tyre për atmosferën në kampin kuqezi, duke vënë theksin te harmonia në grup dhe mbështetja e pritshme e sportdashësve.
Duke folur për rëndësinë e këtij momenti, Hamonikaj u shpreh se skuadra është e vetëdijshme për madhësinë e sfidës dhe se besimi te forca e përbashkët është në nivele të larta, sidomos pas rikthimit të dy lojtareve të rëndësishme si Elezaj dhe Krasniqi.
"Janë dy ndeshje shumë të vështira dhe shumë të rëndësishme. Secila nga vajzat e di rëndësinë e kësaj ndeshjeje, sepse ne luajmë për herë të parë dhe është historike. Mendoj që do të shkojë mirë, jemi me besim. Jemi një grup i bashkuar dhe na janë afruar dy elementët që na kanë munguar prej kohësh si Elezaj dhe Krasniqi. Do japim maksimumin dhe urojmë që edhe rezultati të jetë ai që duam", – u shpreh Hamonikaj.
Ajo shtoi se kuqezuget do të hyjnë në fushë pa ngarkesa psikologjike, duke kërkuar të shijojnë çdo minutë të kësaj eksperiance të re dhe për të lënë gjurmë.
"Patjetër që te Uellsi, pasi ne vijmë për herë të parë dhe nuk kemi asgjë për të humbur. Është një eksperiencë e re, duam ta shijojmë fillimisht dhe më pas pse jo edhe rezultati të jetë në anën tonë dhe të bëjmë diçka historike. Mendoj që kjo herë do të jetë ndryshe dhe tifozeria do të jetë aty për të na mbështetur sa më shumë", – theksoi ajo.
Nga ana e saj, mbrojtëset dhe shtyllat e skuadrës, Arbiona Bajraktari, ka vlerësuar formën e mirë fizike në të cilën ndodhen futbollistet, të cilat vijnë pas angazhimeve të rregullta në kampionatet respektive ku aktivizohen.
"Ndeshjet janë mjaft të rëndësishme, duke marrë parasysh që kemi bërë një arritje shumë të madhe si Kombëtare, është edhe vlerësimi maksimal i këtyre ndeshjeve. Vajzat janë në gjendje shumë të mirë. Secila prej tyre ka angazhimin në kampionatet e tyre dhe janë të përgatitura 100% për këto dy ndeshje", – tha Bajraktari.
Lidhur me kundërshtarin, Bajraktari beson se ekipi shqiptar i njeh mirë pikat e forta dhe të dobëta të uellsianeve, duke marrë parasysh edhe paraqitjen e mëparshme në stadiumin "Loro Boriçi".
"Është një ndeshje shumë e vështirë, betë ne e njohim kundërshtarin dhe shpresoj të arrijmë maksimumin në atë ndeshje. Në ndeshjen e fundit që kemi luajtur në ‘Loro Boriçi’ ishte një ndeshje shumë pozitive, pavarësisht rezultatit. Ishte një ndeshje e fortë, luajtëm si të barabarta deri në fund të ndeshjes. Shpresoj që të bëjmë po të njëjtën ndeshje dhe të marrim një fitore që të shkojmë atje më të qeta", – përfundoi Bajraktari.
Kombëtarja shqiptare e vajzave do të vijojë përgatitjet intensive në Shkodër deri në ditën e ndeshjes, e cila do të startojë zyrtarisht më 9 tetor, në orën 18:00.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: