Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Politikë

Enrico Letta: Integrimi në tregun evropian është çelësi për përshpejtimin e zgjerimit të BE-së

Redaksia Lajmetereja • 07-10-2026 11:41
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
Enrico Letta: Integrimi në tregun evropian është çelësi për përshpejtimin e zgjerimit të BE-së
Ish-kryeministri i Italisë dhe aktualisht president i Institutit Jacques Delors, Enrico Letta, ka dhënë një paralajmërim të fortë lidhur me rreziqeve që i kanosen modelit të zhvillimit evropian, në rast se shtetet e kontinentit vazhdojnë të veprojnë të përçara dhe pa një strategji të unifikuar. Gjatë fjalës së tij në sesionin e titulluar “Single Market and Enlargement: The Future of Europe”, ai theksoi se në Evropë nuk ekzistojnë superfuqi shtetërore dhe se domosdoshmëria e bashkimit të të gjitha vendeve është jetike përballë sfidave globale. Duke analizuar gjeopolitikën aktuale, Letta u shpreh se në kontinent ekzistojnë vetëm dy kategori vendesh: ato të vogla dhe ato që ende nuk e kuptojnë se janë të tilla. Sipas tij, iluzioni se shtetet evropiane mund të garojnë të vetme në të njëjtin nivel me fuqi globale si Kina, India apo Shtetet e Bashkuara është shkatërrues për të ardhmen e të gjithëve. “Jemi të gjithë shtete të vogla, prandaj e vetmja mundësi për ne është të integrohemi, të qëndrojmë bashkë dhe të kemi dimensionin tonë, në nivel ose më të madh se fuqitë e tjera të mëdha të botës”, u shpreh ai, duke shtuar se mungesa e një fronti të përbashkët do ta shndërrojë Evropën në një koloni financiare të SHBA-së dhe në një koloni prodhimi të Kinës. Në këtë kuadër, Letta ka propozuar që tregu i përbashkët evropian të shërbejë si një mekanizëm lehtësues për integrimin e shteteve kandidate në Bashkimin Evropian, duke e kthyer atë në një realitet të prekshëm para anëtarësimit zyrtar. “Sot shoh në Bruksel se zgjerimi dhe tregu i përbashkët mund të ekzistojnë të dyja. Tregu i përbashkët mund të jetë mënyra që zgjerimi të bëhet edhe para anëtarësimit formal dhe përfundimtar, duke u bërë pjesë e përditshmërisë së njerëzve në vendet kandidate. Të ndalojmë idenë e premtimeve pa dëshmi dhe të hyjmë në idenë e tregut të përbashkët si përditshmëri për njerëzit. Sepse, në fund të ditës, tregu i përbashkët nënkupton lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave dhe kapitalit”, vlerësoi ai. Pas ndërhyrjes së Lettës, punimet e aktivitetit kanë vazhduar me sesionin e radhës “Competitiveness & Growth: From CRM to Single Market”, ku fokusi i diskutimeve ishte te konkurrueshmëria e bllokut evropian, përfshirja e Ballkanit Perëndimor në tregun e përbashkët dhe reformat e domosdoshme që duhet të ndërmarrë rajoni. Në këtë panel diskutimor morën pjesë figura të njohura si Pranvera Kastrati nga CEFTA, Amer Kapetanovic nga Këshilli për Bashkëpunim Rajonal, Talis Linkaits nga Transport Community, Lorena Sekiraqa, këshilltare politike e kryeministrit dhe Sherpa për Çështje Rajonale, si dhe ekonomisti Branimir Jovanovic. Ky forum i rëndësishëm po organizohet nga Open Society Foundations – Western Balkans në bashkëpunim të ngushtë me Qeverinë e Kosovës dhe atë të Malit të Zi, duke bashkuar në një tryezë personalitete nga shoqëria civile, institute kërkimore, institucione evropiane dhe organizata rajonale e ndërkombëtare. Të gjitha konkluzionet dhe rekomandimet e dalat nga ky tubim do të sistemohen për t'u prezantuar zyrtarisht në Samitin e radhës të Liderëve të Procesit të Berlinit, i cili do të zhvillohet në Podgoricë më 22 tetor.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:
Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar