Politikë
Melihate Termkolli: Lidhja Demokratike e Kosovës humbi rrugën, mbrëmë u tentua t'i vihet dryni
Reklamë e Sponsorizuar
Ish-deputetja dhe ndër figurat themeluese të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Melihate Termkolli, ka ashpërsuar tonet pas zgjedhjes së Justina Shiroka-Pulës në krye të shtetit, duke e konsideruar subjektin e saj politik si humbësen më të madhe të këtyre zhvillimeve.
Termkolli ka drejtuar kritika të ashpra ndaj skenës aktuale politike, ndërsa marrëveshjen e arritur ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës e ka vlerësuar si të dëmshme për të ardhmen e vendit.
Në një reagim publik, ajo ka përdorur gjuhë metaforike për të përshkruar atmosferën rreth zyrave të partisë: “Mbrëmë kah zyrat e saj nuk kaloi kush as gjë tjetër veç hijes së një lubie, hijenave që hanin njëri-tjetrin dhe do ‘hafijeve’ për t’ia vënë drynin! Dëm i madh për Kosovën!”
Duke qenë ndër kontribuueset e hershme të LDK-së, ajo ka theksuar se kjo situatë është tejet e rëndë dhe zhgënjyese për ata që dikur e ngritën këtë forcë politike si një simbol të lirisë dhe shtetformimit.
“E rëndë, e dhimbshme deri n’kupë t’qiellit, veçmas për ne që e bëmë LDK-në, lëvizje-parti të dritës, të lirisë e pavarësisë së Kosovës-Dardanisë tonë!”, ka shtuar më tej ajo.
Në mbyllje të reagimit të saj, Termkolli ka përcjellë një urim tradicional shoqëruar me thirrjen: “Zoti e bekoftë Dardaninë!”, si dhe përdorimin e hashtagëve #MakeDardaniaAgain dhe #MDA.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: