Politikë
Ermal Sadiku: Votimi i presidentes ishte çasti më i vështirë në jetën me politike, por triumfoi shteti
Reklamë e Sponsorizuar
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Ermal Sadiku, ka thyer heshtjen pas seancës dramatike për zgjedhjen e Justina Shiroka-Pulës në krye të shtetit, duke e cilësuar këtë proces si sprovën më të rëndë të deritanishme në rrugëtimin e tij politik.
Sadiku ka shpjeguar se gjatë votimit është ndodhur mes dilemash të mëdha, duke u ndeshur me përgjegjësinë institucionale, ndërgjegjen e tij, të kaluarën e rëndë të partisë dhe respektin e pakushtëzuar për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Megjithatë, ai përsëriti se vendosi të jepte votën e tij në harmoni të plotë me qëndrimin e grupit parlamentar, duke besuar se puna e përbashkët dhe disiplina organizative qëndrojnë mbi ambiciet apo vlerësimet individuale.
Duke qenë i vetëdijshëm për valën e kritikave dhe fyerjeve që do të pasonin, ligjvënësi u shpreh se sulmet ndaj tij janë të papërfillshme në krahasim me fyerjet që në të kaluarën i janë bërë figurave historike si Presidenti Ibrahim Rugova apo familjes legjendare Jashari. Ai theksoi se sfida e vërtetë mbetet të jetuarit në paqe me vendimet vetjake, duke shtuar se refuzon të jetë një politikan që ndryshon qëndrimet sipas erës së duartrokitjeve apo që fshihet pas të tjerëve në momentet e vështira.
Në vlerësimin e tij për zhvillimet e djeshme, Sadiku theksoi se arritja e një kompromisi mes dy subjekteve më të mëdha politike përtej dallimeve të thella, përbën një fitore për institucionet e vendit që kapërcen interesat e një deputeti të vetëm apo të një partie politike.
Në fund të reagimit të tij, deputeti i LDK-së e ka uruar Justina Shiroka-Pulën për marrjen e detyrës së re, duke i kujtuar asaj se tashmë ajo përfaqëson të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës pa dallim. Ai i bëri thirrje presidentes së re që të mos harrojë kurrë sakrificën e dëshmorëve, të vrarëve dhe familjeve që kërkojnë drejtësi, por në të njëjtën kohë të udhëhiqet nga një vizion i qartë për të ardhmen dhe brezat e rinj, duke e mbajtur historinë si udhërrëfyes e jo si strehë të përhershme.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: