Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Aktuale

Nga triumfi te rënia historike: Miley Cyrus shënon rekord negativ në Billboard me albumin e ri

Redaksia Lajmetereja • 07-10-2026 07:41
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
Nga triumfi te rënia historike: Miley Cyrus shënon rekord negativ në Billboard me albumin e ri
Gëzimi i Miley Cyrus për kryesimin e listës prestigjioze Billboard 200 ka zgjatur shumë pak. Edhe pse albumi i saj më i ri, “Bass Persuades”, debutoi javën e kaluar në vendin e parë, ai ka pësuar një rënie drastike në javën e dytë duke zbritur në pozitën e 157-të. Kjo lëvizje përfaqëson rënien më të madhe nga vendi i parë në historinë e këtij klasifikimi për një artiste femër. Me këtë disfatë, Cyrus ka kaluar rekordin e mëparshëm që mbahej që nga viti 2019 nga Celine Dion. Albumi i kësaj të fundit, “Courage”, pasi kishte prekur kreun, kishte rënë në vendin e 111-të në javën pasuese. Ndërkohë, para Dionit, rekordin e mbante Madonna me albumin “Madame X”, i cili kishte rënë nga vendi i parë në të 77-in. Projekti “Bass Persuades” shënon albumin e parë të Cyrus nën etiketën e Atlantic Records, pas largimit të saj nga Columbia Records në fillim të këtij viti. Parashikimet fillestare nuk ishin aspak premtuese dhe sugjeronin se materiali diskografik mund të mos siguronte as një vend në pesëshen më të mirë. Kjo shtyu Atlantic Records të ndërmerrte një fushatë agresive shitjesh për të garantuar kreun e listës. Për të arritur këtë qëllim, çmimi i versionit digjital u ul, ndërsa fansave iu vunë në dispozicion një larmi e madhe edicionesh. Albumi u hodh në treg në 16 versione vinili, nëntë variante CD, gjashtë opsione digjitale dhe në formë kasete. Kjo strategji marketingu rezultoi fituese. Shitjet kaluan çdo parashikim, duke i lejuar Cyrus të mposhtë rivalen e saj më të afërta, këngëtaren e muzikës country Ella Langley dhe albumin e saj “Dandelion”, me një diferencë prej vetëm rreth 70 kopjesh. Për të festuar suksesin e arritur në krye të listës, ekipi i Atlantic Records i dërgoi këngëtares në shtëpi një buqetë me lule të punuar në formën e numrit një. “Vendi i parë i albumit ‘Bass Persuades’ është më shumë se një fitore”, kishte shkruar Cyrus në rrjetin social Instagram. “Procesi i krijimit ishte një nga periudhat më të bukura. Të gjithë ata që morën pjesë e bënë të mundur këtë dhe, çfarë është edhe më e rëndësishme, e bënë gjithë përvojën argëtuese dhe të paharrueshme. Faleminderit Atlantic, ekipit tim dhe të gjithëve që besuan tek unë dhe ishin pranë meje. Ju dua. Fansave - ju jeni bota ime. Të krijoj muzikë për ju më bën jashtëzakonisht të lumtur. Përgjithmonë”. Teksa “Bass Persuades” ka rënë deri në vendin e 157-të, artistë të tjerë të njohur vazhdojnë të dominojnë majat e Billboard-it këtë javë. Taylor Swift është rikthyer fuqishëm në vendin e parë me albumin “Life of a Showgirl”, falë edhe lansimit të versionit deluxe “Encore”. Pozitën e dytë e mban Olivia Rodrigo me albumin “You Seem Pretty Sad For a Girl So In Love”, i cili numëron tashmë katër muaj në këtë listë. Ndërkaq, “Dandelion” i Ella Langley, albumi që u la në vend të dytë nga Cyrus javën e kaluar me një diferencë minimale prej 70 kopjesh, ka humbur vetëm një pozitë duke u renditur i treti, pas gati gjashtë muajsh qëndrimi në listë. Vitet e fundit, ylli i popit nuk ka arritur t'i përsërisë sukseset e bujshme komerciale të kohës së artë të karrierës. As albumi i saj paraardhës, “Something Beautiful”, i publikuar vitin e kaluar, nuk shënoi shitje të larta. Një nga arritjet e saj më të bujshme në kohët e fundit mbetet hiti global “Flowers”, i lansuar në vitin 2023. Kjo këngë e konsideruar si më e suksesshmja e rrugëtimit të saj artistik, i solli asaj një çmim prestigjioz Grammy për Regjistrimin e Vitit në vitin 2024. Për të promovuar albumin e ri, Cyrus do të mbajë dy shfaqje me bileta të shitura plotësisht në Hollywood Bowl gjatë këtij muaji. Këngëtarja ka shmangur turnetë e gjera që nga “Bangerz Tour” i vitit 2014, duke parapëlqyer formatin e koncerteve të përqendruara në një vend të vetëm në formë rezidence.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:
Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar