Kronikë
“Ose ligji, ose rënia e qeverisë”: Protestuesit në Prishtinë paralajmërojnë vazhdimin e tubimeve deri në miratimin e ndryshimeve për Specialen
Reklamë e Sponsorizuar
Të mbledhur në sheshin “Skënderbeu” në kryeqytet, qytetarët po kërkojnë me ngulm miratimin në lexim të dytë të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Gjykatën Speciale në Hagë. Ata kanë bërë thirrje që protestat të vijojnë derisa kërkesat e tyre të plotësohen plotësisht.
Hajdin Daga, një pensionist nga Lipjani që jeton në Zvicër, tregoi se ka dalë në shesh për të mbështetur këtë kauzë, teksa nuk i kurseu kritikat ndaj skenës aktuale politike.
Duke ndarë emocionet e tij, ai u shpreh se marrëveshjet e fundit e kishin prekur rëndë shpirtërisht. “Unë jam një pensionist nga Zvicra... Unë kam dalë me përkrah këtë ligj se mbrëmë kam qarë kur e bëri atë marrëveshje Rrahman Rama me komandantin e policisë. Kam qarë si fëmija para gruas dhe fëmijëve të mi. Kurrë nuk kam menduar që do të kemi një marrëveshje shtetërore dhe patriotike shtetërore. Janë policët tanë, kush e pruri ata, UÇK-ja. Këto tri shkronjat, unë s’kam pasur fatin me qenë në luftë, sot kam fatin ta përkrah këtë ligj, për ta kaq munda të bëj”, u shpreh ai.
Në të njëjtën linjë ishte edhe Veli Morina nga Klina, i cili theksoi se tubimet nuk do të ndalen derisa të arrihet synimi i tyre ligjor.
“Ja fitohet ligji, ja bie qeveria. Nuk munden me i bërë votat. Prapëseprapë kemi me dalë në rrugë. Sheshi është i bllokuar këtu, kemi me qëndruar sonte. Prej mbrëmë jemi këtu”, deklaroi Morina.
Ndërkohë, Përparim Berisha kishte udhëtuar nga Gjermania posaçërisht për të qenë pjesë e kësaj proteste, duke shprehur vendosmërinë për të qëndruar në shesh deri në dhënien e një zgjidhjeje.
“Unë jam qe 33 vjet në Gjermani. Prej datës 16 jam këtu në shesh dhe do të rri në shesh deri të zgjidhet ligji. Do të rri në shesh për të drejtat e UÇK-së, për çlirimtarët tanë, që ata të vijnë të lirë në vendin tonë. Kjo është e pakta që mundemi me bo për ta”, tha ndër të tjera Berisha.
Për Shaban Shabanin nga Komuna e Drenicës, presioni përmes tubimeve mbetet e vetmja rrugë e mbetur për të arritur deri te drejtësia.
“Veç me protesta s’ka tjetër zgjidhje s’po duan marrëveshje. Duhen protesta derisa të na lirohen çlirimtarët e Kosovës”, u shpreh Shabani.
Këto protesta, që po zhvillohen nën moton “Jo në emrin tim”, kanë nisur në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë që nga 16 shtatori, kohë kur Gjykata Speciale në Hagë shpalli aktgjykimin dënues ndaj katër ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: