Politikë
Protesta për UÇK-në: Çlirim Haziri i dërgon mesazh të prerë kryeministrit Kurti
Reklamë e Sponsorizuar
Organizatori i tubimit “Jo në emrin tim”, Çlirim Haziri, u ka bërë thirrje qytetarëve nga i gjithë vendi që të bashkohen masivisht në protestë, duke lënë mënjanë çdo përkatësi apo bindje politike.
Duke theksuar se kjo nismë vjen në mbështetje të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Haziri u shpreh se vlera e UÇK-së dhe gjaku i derdhur për liri nuk mund të bëhen kurrë pjesë e pazareve politike.
“Ejani në shesh, pa dallime partie, pa dallime bindje politike, pa dallime mes nesh. Kjo protestë është për UÇK-në, për gjakun e derdhur për liri, është për historinë tonë, e cila nuk mund dhe nuk duhet të trajtohet si çështje e pazareve politike”, u shpreh ai.
Më tej, ai shtoi se miratimi i ligjit përkatës përbën një domosdoshmëri urgjente, duke nënvizuar se kjo kauzë i përket gjithë shoqërisë dhe nuk është pronë e ndonjë grupi apo force të vetme politike.
“Për ne, ky ligj është emergjencë, kjo protestë nuk është e një partie, kjo protestë nuk është e një grupi, nuk është pronë e askujt”, potencoi Haziri.
Gjatë fjalës së tij, ai i është drejtuar drejtpërdrejt edhe kryeministrit Albin Kurti, duke i kujtuar atij se qytetarët e mbledhur në shesh tashmë prej 21 ditësh janë të vendosur të qëndrojnë aty deri në plotësimin e kërkesës së tyre.
“Kryeministër, ne jemi këtu, kemi qëndruar dje këtu, kemi qëndruar që 21 ditë dhe do të vazhdojmë të jemi këtu derisa kërkesa jonë të marrë përgjigje. Ne kemi një kërkesë të qartë, votojeni Ligjin për Dhomat e Specializuara, votoje Ligjin për UÇK-në”, përfundoi Haziri.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: