Politikë
Gati për familjen evropiane, ministri Hoxha: Shqipëria jo vetëm synon anëtarësimin, por edhe të ardhmen e BE-së
Reklamë e Sponsorizuar
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka përshëndetur qëndrimin e fundit të Komisioneres Marta Kos lidhur me hapat që po ndërmerr blloku evropian drejt valës së re të zgjerimit.
Nëpërmjet një postimi në rrjetin social X, kryediplomati shqiptar riafirmoi përkushtimin e vendit tonë për të çuar përpara reformat e nevojshme, duke bashkëpunuar ngushtë me Brukselin dhe vendet anëtare për një agjendë të qartë dhe të realizueshme drejt integrimit të plotë.
“Shqipëria është gati. Jo vetëm për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, por edhe për të ndihmuar në formësimin e së ardhmes së tij”, shkroi ndër të tjera ai.
Hoxha vuri në dukje se ky proces kërkon angazhim dypalësh, duke përfshirë si detyrimet e shteteve aspirante, ashtu edhe kapacitetin pritës të vetë institucioneve evropiane.
“Zgjerimi nuk ka të bëjë vetëm a gatishmërinë e vendeve kandidate për t’u anëtarësuar. Ai ka të bëjë po aq edhe me gatishmërinë e Bashkimit Evropian për t’i mirëpritur ato”, u shpreh ministri.
Në vlerësimin e tij, procesi i integrimit përfaqëson një mision strategjik që konsolidon vlerat demokratike dhe ngre standardin e jetesës për qytetarët, duke shtuar njëkohësisht peshën e sigurisë, qëndrueshmërisë dhe konkurrencës në shkallë kontinentale.
Në këtë linjë, ai ritheksoi vullnetin e palëkundur për të jetësuar reformat strukturore dhe për të avancuar drejt integrimit hap pas hapi përmes nismave me ndikim të prekshëm.
Duke e cilësuar këtë fazë si një gur kilometrik për fatet e kontinentit, Hoxha përsëriti se bashkimi e bën Evropën shumë më të fuqishme përballë sfidave të kohës.
“Për një Evropë më të fortë në shtëpi. Një Evropë më të fortë në botë”, përmbylli mesazhin e tij zyrtari i lartë shqiptar.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: