Politikë
Hamza i kundërpërgjigjet Kurtit: Çështja e Speciales nuk ka lidhje me funksionet politike
Reklamë e Sponsorizuar
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, gjatë një konference për media, ka bërë të qartë se pozicioni i subjektit që ai drejton lidhur me Ligjin për Dhomat e Specializuara mbetet i palëkundur, duke këmbëngulur në votimin e tij përmes dy leximeve.
Gjatë fjalës së tij, kreu i PDK-së vuri në dukje se ky projektligj nuk ka asnjë ndërlidhje me ndarjen e posteve politike apo institucionale, duke ruajtur një qasje parimore.
"Qëndrimi i Partisë Demokratike të Kosovës ka qenë dhe vazhdon të jetë konsistent, aprovimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara në dy lexime. Nuk janë çështje të ndërlidhura me asnjë pozitë politike apo institucionale", u shpreh Hamza.
Sipas tij, Kuvendi i Kosovës po ballafaqohet me zvarritje dhe shkelje të afateve kushtetuese për konstituimin e tij, situatë kjo që po prodhohet nga deklarimet dhe kushtëzimet partiake rreth zgjedhjes së presidentit.
"Kemi vonesa, mosrespektim të afateve kushtetuese për Kuvendin e Kosovës, për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, si rezultat i deklaratave, i veprimeve që pa marrëveshje për presidentin, nuk e konstituojmë Kuvendit", tha ai.
Hamza vuri në pah se prej datës 7 gusht nuk është ndërmarrë asnjë hap i sinqertë dhe konkret për t'i siguruar vendit një shef të ri shteti.
"Asnjë veprim konkret, serioz për një periudhë prej datës 7 gusht, deri sot, deri në orët e fundit, për t’i dhënë vendit president", shtoi ai.
Duke trajtuar temën e Dhomave të Specializuara, kreu i opozitës u shpreh se drejtësia duhet të jetë universale, ndërsa kujtoi se trashëgimia e luftës dhe qytetarët nuk mund të monopolizohen nga asnjë parti e vetme.
"Viktimat, dëshmorët, viktimat civile, invalidët e luftës, veteranët, populli i Kosovës nuk i takon veç një subjekti politik, i takon të gjitha subjekteve politike", deklaroi Hamza.
Në fund, ai përsëriti se synimi i këtij ligji është sigurimi i një procesi të drejtë për individët që po ballafaqohen me këtë gjykatë, të cilët sipas tij nuk përfaqësojnë parti politike, por epopenë më të lavdishme të historisë së vendit – luftën çlirimtare.
"Ligji kërkon drejtësi, drejtësi për njerëzit të cilët janë në këtë proces. Nuk janë ata atje për veprimet e tyre të pasluftës, nuk janë atje si ndonjë pjesëtar, lider i ndonjë subjekti politik, janë për pjesën më të ndritshme të historisë së Kosovës, luftën çlirimtare të Kosovës", përfundoi Hamza.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: