Politikë
Zgjedhja e Presidentit: Bekim Sejdiu përsërit qëndrimin, konfirmon tërheqjen përfundimtare nga gara
Reklamë e Sponsorizuar
Pavarësisht thirrjeve dhe përmendjes së emrit të tij nga kryeministri Albin Kurti gjatë konferencës së sotme, ku iu kërkua një marrëveshje me PDK-së dhe Bedri Hamzën për postin e të parit të vendit, profesor Bekim Sejdiu ka konfirmuar prerazi se nuk bën më pjesë në këtë garë institucionale.
Sejdiu ka bërë të ditur se për vendimin e tij të formnalizuar ka vënë në dijeni edhe një herë krerët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), si dhe vetë kryeministrin Albin Kurti, duke u bërë të qartë se është tërhequr plotësisht nga procesi i zgjedhjes së presidentit.
"Unë i kam njoftuar, kam qenë në komunikim me krerët e LDK-së edhe i kam njoftuar së fundi edhe krerët e LDK-së edhe kryeministrin Kurti që unë nuk jam pjesë e këtij procesi për zgjedhjen e presidentit të Kosovës. Unë kam hy me idenë kur kam hy në fillim të shtatorit, me motivin e vetëm që me dal prej një ngërçi, por nuk u realizua sepse nuk u bënë votat edhe rrjedhimisht unë kam bërë një herë tërheqje publike edhe tash normalisht emrin me ma përmend s’mundem me ia ndalu askujt. Edhe e di që e bëjnë me qëllimin më të mirë të mundshëm, e di që kanë besim në mua, por unë i kam informuar që unë jam i tërhequr nga kjo garë", ka deklaruar Sejdiu.
Ai ka kujtuar se në këtë dinamikë politike kishte hyrë në kuadër të një kombinimi ku LDK-ja do të shërbente si subjekt propozues, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje si mbështetëse, duke shtuar se kontaktet kryesore i kishte mbajtur pikërisht me drejtuesit e partisë që e kishte nominuar.
"Unë ju kam thënë që jam i tërhequr, unë nuk jam i informuar. Unë kur kam hyrë me LDK-në si propozuese, VV-në si mbështetëse, me qat konspiracion kam hyrë dhe kryesisht i kam bërë komunikimet me drejtues të LDK-së që më kanë propozu e më kanë thirr mua me hy në këtë proces. E çmoj shumë edhe besimin e kryeministrit Kurti, por unë i kam njoftuar se jam tërhequr nga gara, ju kam treguar se nuk jam pjesë e garës", ka shtuar ai.
Sejdiu u shpreh i gatshëm t'u dëshmojë drejtuesve të LDK-së edhe mesazhin zyrtar përmes të cilit i kishte njoftuar për qëndrimin e tij. Sipas tij, nuk është e hijshme që dikush të bëhet president vetëm si mjet për t'i ikur zgjedhjeve të parakohshme, duke theksuar se ky dikaster i takon vetëm atij që e meriton realisht.
"Nëse dojnë këta të LDK-së, mundem me ua dërgu edhe mesazhin që ua kam dërguar dhe unë ju kam thënë kështu: më së pari nuk konsideroj që është e denjë me u zgjedh president dikush që zgjedhet vetëm me i shmang zgjedhjet, president duhet të zgjedhet dikush që e meriton atë pozitë. Dhe dmth as me ndërlidhjen me tema të tjera që janë të rëndësishme për këtë vend. E dyta, unë kam hyrë në një kombinim politik LDK-VV dhe e kisha mirëprit përkrahjen e të gjithëve. Partitë politike në përgjithësi kanë pasë fjalë të mira për mua si kandidat dhe e çmoj edhe faktin se edhe një pjesë e gazetarëve dhe opinionit publik kanë pasur vlerësim pozitiv për mua. Mirëpo, meqë unë nuk i kam pasur votat, unë jam tërheq nga kjo garë. Për më tepër, në këtë proces me kaq shumë drama, unë nuk kam qenë në Kosovë fare këto ditë. E çmoj shumë besimin dhe vlerësimin nga të gjithë, por unë nuk jam më pjesë e këtij procesi", ka përfunduar ai.
Reagimi i Sejdiut vjen si pasojë e rikthimit të emrit të tij në tavolinën e bisedimeve për kreun e shtetit. Kjo ndodh ndërkohë që kreu i ekzekutivit, Albin Kurti, e përmendi sërish figurën e tij gjatë konferencës së sotme, në një kohë kur kanë mbetur vetëm edhe pak orë deri në skadimin e afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit të vendit.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: