Aktuale
Hamza zbulon prapaskenat e takimit me Abdixhikun: Ja çfarë kërkova për Ligjin e Speciales
Reklamë e Sponsorizuar
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka ndarë detaje nga takimi i tij i fundit me liderin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, duke treguar se në qendër të diskutimit ka qenë sigurimi i mbështetjes për projektligjin që lidhet me Dhomat e Specializuara.
Sipas Hamzës, gjatë bisedës me kreun e LDK-së është theksuar domosdoshmëria e një kuadri ligjor që garanton transparencë, llogaridhënie, mbikëqyrje rigoroze, si dhe respektim të plotë të të drejtave të njeriut dhe konventave ndërkombëtare. Megjithatë, ai vuri në dukje se pavarësisht kërkesës për mbështetje, deputetët e LDK-së nuk morën pjesë në votimin e këtij projektligji gjatë shqyrtimit në lexim të parë në Kuvend.
Duke komentuar këtë qëndrim, kreu i PDK-së u shpreh se vlera e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës shtrihet përtej vijave partiake, duke kujtuar se ish-pjesëtarë të saj gjenden në të gjitha subjektet politike në vend.
“Megjithatë unë e di sepse i njohim, kemi shumë miq, njerëz në LDK, dhe po e ritheksoj populli i Kosovës është organizuar për liri dhe pavarësi. Lufta e popullit të Kosovës është zhvilluar përmes UÇK’së dhe pjesëtarë të saj ka në të gjitha subjektet politike, edhe në PDK, në Aleancë edhe në VV edhe në LDK. Ky ligj flet për vlera që janë pjesë e të gjitha partive politike”, deklaroi ndër të tjera Hamza.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: