Kronikë
Ademi lëshon alarmin: A po përgatit Gjykata Kushtetuese një goditje të re ndaj gjuhës shqipe?
Reklamë e Sponsorizuar
Sekretari i Përgjithshëm i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Arbër Ademi, ka ngritur shqetësime serioze gjatë një konference për media, duke hedhur dyshime se Gjykata Kushtetuese mund të jetë duke përgatitur një tjetër sulm kundër gjuhës shqipe.
Ai bëri të ditur se në seancën e nesërme të këtij institucioni, në rend dite do të jetë Rregullorja për mënyrën e udhëheqjes, formës dhe përmbajtjes së evidencës dhe dokumentacionit pedagogjik në shkollat e mesme. Ky dokument, i sjellë nga ministrja e Arsimit, është botuar në Gazetën Zyrtare numër 32/2026.
Sipas zyrtarit të lartë të BDI-së, kjo rregullorë është kontestuar në aspektin kushtetues, pasi bie ndesh hapur me Amendamentin 5 të Kushtetutës së RMV-së dhe me nenin 17 të Ligjit për përdorimin e gjuhëve. Shkak për këtë është fakti se akti në fjalë është publikuar në Gazetën Zyrtare ekskluzivisht në gjuhën maqedonase, duke shkelur detyrimin ligjor për ta shoqëruar edhe me gjuhën shqipe.
"Amendamenti 5 i Kushtetutës është shumë i qartë, për më tepër, neni 17 i Ligjit për përdorimin e gjuhëve parasheh që të gjitha ligjet, aktet nënligjore, vendimet dhe shpalljet nga ana e institucioneve të cilat botohen në Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë, botohen në gjuhën maqedonase dhe alfabetin e saj dhe në gjuhën shqipe dhe alfabetin e saj. Argumentet juridike nuk përfundojnë këtu", u shpreh Ademi.
Duke iu referuar kornizës ligjore, ai shtoi se edhe neni 8, paragrafi 1 i Ligjit për publikimin e ligjeve dhe rregullave të tjera në Gazetën Zyrtare të RMV-së, përcakton qartësisht se aktet e të gjitha organeve të pushtetit shtetëror, përfshirë shprehimisht edhe Gjykatën Kushtetuese, duhet të dalin në dy gjuhë.
"Rrjedhimisht nga e gjithë kjo, nuk do shumë mend që të kuptojmë se: Kushtetuta si akti më i lartë juridik, Ligji për përdorimin e gjuhëve si ligj special për përdorimin e gjuhëve, si dhe Ligji për publikimin e ligjeve dhe rregullave të tjera dhe akteve në Gazetën Zyrtare të RMV-së, që të gjithë parashohin obligim zyrtar të institucioneve, ex officio, që të gjitha aktet që publikohen në Gazetën Zyrtare të publikohen në dy gjuhë", theksoi ai.
Në vijim të fjalës së tij, Ademi drejtoi një sërë pyetjesh publike drejtuar autoriteteve kompetente.
"A paraqet shkelje të Kushtetutës dhe ligjeve të lartpërmendura mospublikimi i aktit të kontestuar edhe në gjuhën shqipe, apo kur është fjalë për gjuhën shqipe, e njëjta trajtohet si çështje e kategorisë së dytë dhe irelevante? Çfarë domethënie ka kjo, a po hapet dera që nesër edhe ligjet të publikohen vetëm në gjuhën maqedonase? Pse Gjykata po e ndryshon praktikën e vetë-etabluar gjyqësore kur është fjalë për gjuhën edhe të drejtat e shqiptarëve?", pyeti Ademi.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: