Kronikë
OVL-UÇK kërkon shfuqizimin e Speciales në Kuvend, Jashari denoncon aksionet e policisë ndaj veteranëve
Reklamë e Sponsorizuar
Përfaqësuesi i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Xhavit Jashari, i ka bërë thirrje Kuvendit të Kosovës që gjatë seancës së sotme të miratojë në lexim të dytë ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, duke propozuar futjen e një neni të posaçëm për shfuqizimin e kësaj gjykate.
Sipas Jasharit, kjo nismë vjen si përgjigje ndaj kërkesave të shumta të qytetarëve dhe protestuesve, të cilët kanë shprehur pakënaqësinë e tyre pas vendimit përfundimtar dënues ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në fjalën e tij, ai e ka akuzuar ashpër Gjykatën Speciale se ka cenuar udhëheqësit e UÇK-së, vetë luftën e lavdishme çlirimtare, historinë kombëtare dhe, mbi të gjitha, themelet e shtetësisë së Kosovës.
“Këtë gjykatë e cila goditi krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me akuza të pabëra. Këtë gjykatë e cila goditi në luftën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Këtë gjykatë e cila goditi në historinë e popullit dhe kombit shqiptar, e mbi të gjitha goditi në shtetësinë e Kosovës. Nga ky vend, ju bëj thirrje edhe Policisë së Kosovës dhe atyre të cilët japin urdhra që mos të teprojnë sepse kemi informacione që kemi të lënduar një numër bukur të madh, kemi veteranë të cilët i kanë marrë sot në polici dhe kemi informacione që po shkojnë edhe në shtëpitë e tyre. Do të qëndrojnë këtu derisa të thirret seanca dhe të merret vendimi”, deklaroi Jashari.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: