Sport
Goditet rrjeti ndërkombëtar i narkotikëve: Sekuestrohen 79 kilogramë marihuanë dhe prangosen pesë persona
Reklamë e Sponsorizuar
Drejtoria e Doganave të Maqedonisë së Veriut ka njoftuar se, falë një hetimi të udhëhequr nga Departamenti i Hetimeve pranë Sektorit të Kontrollit dhe Hetimeve, është arritur të shkatërrohet një grup kriminal ndërkombëtar i përfshirë në trafikimin e paligjshëm të lëndëve narkotike. Si rezultat i këtij operacioni, pesë persona janë vënë në pranga dhe ndaj tyre janë dorëzuar kallëzime penale me akuzën për prodhim dhe shpërndarje të paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope dhe prekursorëve.
"Aksioni ka nisur pas shkëmbimit të informacioneve nga Departamenti i Inteligjencës, ku ekipet mobile të Departamentit të Operacioneve ndërmorën veprime në terren dhe, në pikën kufitare të Dojranit gjatë tentimit për të dalë nga vendi, parandaluan një kontrabandë me 79 kg marihuanë që kishte si destinacion tregun e Turqisë. Lënda narkotike u konfiskua, ndërsa drejtuesi i mjetit, shtetas i Bosnjës dhe Hercegovinës, u ndalua nga Departamenti i Hetimeve. Ky i fundit, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (GOKK), ka nisur procedurë të plotë hetimore paraprake për zbardhjen e plotë të rrjetit dhe identifikimin e të gjithë bashkëpunëtorëve", thuhet në njoftim.
Sipas hetimeve paraprake, kamioni i drejtuar nga shtetasi boshnjak kishte hyrë në territorin e Maqedonisë i ngarkuar me profile hekuri me destinacion Greqinë. Më pas, përmes një marrëveshjeje paraprake me persona vendas, droga ishte ngarkuar në automjet në një lokacion të caktuar dhe ishte mbyllur me një vulë që vetë shoferi e posedonte. Mjetit iu lejua vazhdimi i udhëtimit drejt Greqisë, për t'u bllokuar përfundimisht nga njësitet mobile në pikën kalimit kufitar të Dojranit.
Nëpërmjet këtij aksioni të suksesshëm, Administrata Doganore ka theksuar se dëshmon përkushtimin e saj të vazhdueshëm në luftimin pa kompromis të paligjshmërisë, duke u mbështetur te puna intensive e inteligjencës, operacionet e mirëorganizuara dhe hetimet e thelluara.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: