Sport
A po aplikon Teherani një tarifë sekrete për kalimin e naftës në Ngushticën e Hormuzit?
Reklamë e Sponsorizuar
Eksportet e naftës nga Lindja e Mesme kanë shënuar një rritje të ndjeshme, duke kaluar nivelet e para luftës në shkurt mes konfliktit SHBA-Izrael kundër Iranit, pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme të Teheranit për të penguar qarkullimin në Ngushticën e Hormuzit dhe për të vënë në shënjestër anijet tregtare. Sipas të dhënave paraprake nga kompania e monitorimit detar Kpler, dërgesat e naftës bruto nga ky rajon tejkaluan shifrat e paraluftës gjatë katër ditëve në javën e fundit të shtatorit, duke u pozicionuar mes 19.5 dhe 22.5 milionë fuçi në ditë (bpd). Për krahasim, para nisjes së luftimeve, mesatarja e eksporteve sillej rreth 18 milionë fuçi në ditë.
Analiza të ndryshme ndërkombëtare ia kanë atribuar këtë hov në eksporte kryesisht pranisë së anijeve amerikane që shoqërojnë cisternat përgjatë Ngushticës së Hormuzit, si dhe shtimit të operacioneve të transferimit të ngarkesave nga një anije te tjetra, metodë kjo që zvogëlon rrezikun e goditjeve nga dronët dhe raketa iraniane. Ndërkaq, ruajtja e çmimeve të larta në tregun e naftës shpjegohet nga ekspertët si pasojë e tarifave të larta të sigurimit që ushqehen nga frika e sulmeve të Teheranit dhe nga mundësia e një rifillimi të konfliktit të hapur.
Megjithatë, një analiste e lartë e Kpler ka hedhur dritë mbi një skenar tjetër të mundshëm pas këtij fenomeni të eksporteve të larta me çmime të kripura. Ajo sugjeron se vendet e Gjirit mund t'i jenë drejtuar pagesës ndaj Iranit për të siguruar kalimin e lirë të dërgesave të tyre, duke i ofruar Teheranit një pjesë të konsiderueshme të vlerës totale të ngarkesës. Vlen të kujtohet se para shpërthimit të luftës, një e pesta e furnizimeve globale me naftë dhe gaz natyror kalonte pikërisht përmes Ngushticës së Hormuzit.
Në një intervistë të dhënë javën e kaluar për analistin e energjisë Rory Johnston, Michelle Brohard, e cila mban postin e drejtores së politikave dhe riskut gjeopolitik në Kpler, shprehu bindjen e saj se kjo praktikë mund të jetë duke u zbatuar në terren.
“Dyshoj se po paguhet një tarifë, e cila po u jep këtyre anijeve kalim të sigurt. Gjithashtu dyshoj se këto vende e dinë se kjo është e paqëndrueshme nga perspektiva e shoqërimit të anijeve nga SHBA-të, dhe gjithashtu e paqëndrueshme nga ana e tyre që t’i paguajnë Iranit 10 përqind të ngarkesës së tyre, ose 20 përqind të ngarkesës së tyre. Pra, po filloni të shihni atë që unë do ta quaja një garë për të dalë sa më shumë që të jetë e mundur, sa më shpejt të jetë e mundur para se të rifillojë lufta,” u shpreh ajo.
Ky pretendim mbetet ende i paverifikuar në rrugë të pavarura dhe vetë Brohard e ka cilësuar atë si një hipotezë spekulativë dhe jo si një konstatim të mbështetur në prova konkrete. Megjithatë, që në muajin mars, revista e njohur e transportit detar Lloyd’s List raportonte se Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) i Iranit kishte vënë në funksion një sistem të ngjashëm me “kabina pagese” për të monitoruar dhe kontrolluar lëvizjen e anijeve në këtë ngushticë strategjike.
Nga ana e saj, administrata Trump ka theksuar në mënyrë të përsëritur gjatë kohës së luftës se Iranit nuk do t'i lejohet në asnjë mënyrë të vjelë taksa apo tarifa në kuadër të ndonjë marrëveshjeje të mundshme me Uashingtonin. Bllokada e këtij ngushtice ka sjellë rritje të ndjeshme të çmimeve të karburanteve në shkallë globale, duke vënë në vështirësi sektorë kyçë, përfshirë atë bujqësor, anembanë botës.
Sipas të dhënave nga monitoruesit detarë, fluksi i naftës nga rajoni i Lindjes së Mesme po shënon rritje të vazhdueshme. Gjatë javës së fundit të shtatorit, mesatarja shtatëditore arriti të kapërcejë shifrën prej afërsisht 18 milionë fuçish në ditë që regjistrohej para nisjes së ofensivës ushtarake SHBA-Izrael kundër Iranit në shkurt, duke shënuar kështu nivelin më të lartë që nga nisja e konfliktit.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: