Sport
Nën udhëheqjen e Skendo Rexhës, Otranti shkruan histori në Mal të Zi dhe synon vetëm sukses afatgjatë
Reklamë e Sponsorizuar
Pauza më e gjatë në histori e Ligës së Parë të Futbollit të Malit të Zi po rezulton njëkohësisht edhe periudha më e artë për klubin shqiptar, Otranti.
Skuadra nga Ulqini është ngjitur për herë të parë në histori në krye të renditjes së kampionatit vendas, ndërsa ndërprerja për shkak të angazhimeve të kombëtareve do t'i mundësojë që të ruajë kreun e tabelës për të paktën 20 ditë. Presidenti i klubit, Skendo Rexha, ka ndarë emocionet rreth këtij suksesi historik, planeve zhvillimore dhe vëmendjes së veçantë ndaj talenteve të rinj, të cilët tashmë kanë fituar edhe ftesa zyrtare nga ekipet kombëtare.
“Sigurisht që na bën krenarë dhe na gëzon fakti që Otranti për herë të parë në histori ndodhet në vendin e parë të Ligës së Parë të Malit të Zi. Ky është rezultat i punës së lojtarëve tanë dhe stafit teknik, në krye me trajnerin Milija Savoviq dhe ndihmësin e tij Meto Divanoviq. I përgëzoj për rezultatet dhe paraqitjet që kanë treguar deri tani. Në të njëjtën kohë, këto rezultate na obligojnë të punojmë edhe më shumë dhe t'u krijojmë lojtarëve dhe stafit teknik kushte edhe më të mira për punë”, u shpreh Rexha.
Forma e shkëlqyer e ulqinakëve ka filluar të bëjë bujë edhe jashtë kufijve të Malit të Zi.
“Tashmë po marrim ftesa për ndeshje miqësore, që është një tjetër tregues se puna jonë po vlerësohet. Kemi marrë ftesë nga Dinamo City e Tiranës që më 26 shtator të jemi mysafirë të tyre dhe të zhvillojmë një ndeshje miqësore në kompleksin e tyre sportiv. Për ne kjo është padyshim një kënaqësi e madhe dhe një mundësi e mirë për të matur forcat me një kundërshtar cilësor”, deklaroi kreu i klubit.
Pavarësisht kreut të tabelës, drejtuesit e Otrantit mbeten me këmbë në tokë, duke mos ndryshuar strategjinë e tyre bazë.
“Objektivi ynë që nga fillimi ishte mbijetesa në ligë dhe krijimi i një klubi të qëndrueshëm të Ligës së Parë. Çdo gjë që arrijmë përtej këtij objektivi, pra çdo renditje që do na siguronte mbijetesën pa ndeshje barazhi, do të ishte një sukses i madh. Nuk duam që pozita aktuale të na mashtrojë. Duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë dhe të vazhdojmë të punojmë si deri tani”, theksoi Rexha.
Klubi i ulqinakëve i kushton rëndësi parësore edhe akademisë së futbollit, ndaj rezultatet e shkëlqyera të skuadrës seniore nuk e zbehin aspak vëmendjen ndaj fëmijëve.
“Ky është një nga segmentet më të rëndësishme të zhvillimit të klubit. Na gëzon shumë interesi i madh i fëmijëve. Vetëm ditën e parë të regjistrimit në shkollën e futbollit u regjistruan më shumë se 170 fëmijë. Për ne kjo është një gjë e madhe, por edhe një përgjegjësi e madhe”, shtoi ai.
Shkolla e futbollit drejtohet nga koordinatori Arjan Senika, i mbështetur nga trajnerët Fatmir Molabeqiroviq, Arben Mexhukukiq, Qamil Çausheviq dhe Edi Lika. Krahas shkollës bazë, grupmoshat e reja të Otrantit garojnë rregullisht nën ombrellën e Federatës së Futbollit të Malit të Zi, duke përfshirë ekipet e pionierëve, kadetëve dhe juniorëve.
Përveç kësaj, zhvillimi i infrastrukturës mbetet çelësi i projekteve afatgjata të klubit.
“Duhet të investojmë edhe më shumë në infrastrukturë, në mënyrë që të sigurojmë kushte sa më të mira si për ekipin e seniorëve, ashtu edhe për grupmoshat e reja. Nëse duam që klubi të përparojë në afat të gjatë, nuk mund të mbështetemi vetëm te rezultatet e ekipit të parë. Duhet të krijojmë kushte që fëmijët të stërviten, të përparojnë dhe një ditë të bëhen pjesë e ekipit të seniorëve”, u shpreh Rexha.
Në fund, një krenari e veçantë për klubin mbeten edhe ftesat e marra nga përfaqësueset kombëtare.
“Nikola Vukoviq mori ftesë në kombëtaren e të rinjve të Malit të Zi, ndërsa në përfaqësuesen U19 është ftuar Liburn Lazoja. Mendoj se, nëse vazhdojnë të luajnë në këtë nivel, do të ketë edhe më shumë ftesa në kombëtare për futbollistët tanë”, përfundoi presidenti i Otrantit, Skendo Rexha.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: