Aktuale
Forcimi i mbrojtjes: Gjermania nis projektin për ndërtimin e një baze të re detare
Reklamë e Sponsorizuar
Gjermania ka ndërmarrë një hap konkret për fuqizimin e kapaciteteve të saj ushtarake, duke planifikuar ngritjen e një baze të re detare në qytetin e Emdenit, i vendosur në veriperëndim të shtetit gjerman. Ky vendim vjen si pasojë e tensionimit të situatës globale të sigurisë, një zhvillim ky që u bë i ditur nga vetë ministri i Mbrojtjes, Boris Pistorius.
Duke folur gjatë një ceremonie sopeciale në Emden, ku personalitete të larta shtetërore hodhën firmën mbi një letër qëllimi për këtë projekt, Pistorius e cilësoi nismën si jetike. "Kjo është e rëndësishme për ne, sepse do të jetë një bazë e madhe detare", u shpreh ai.
Ai gjithashtu vuri në dukje avantazhet gjeostrategjike të kësaj pike. "Prej këtu mund të arrijmë shpejt në Atlantikun e Veriut dhe Detin e Veriut. Vendndodhja strategjike është gjithashtu vendimtare, veçanërisht në lidhje me aleatët tanë të NATO-s, zonat tona të përbashkëta të trajnimit dhe operacioneve, si dhe aktivitetet e përbashkëta të trajnimit", theksoi ministri.
Ky impiant ushtarak do të shërbejë si baza e pestë e madhe detare e vendit dhe synon të zvogëlojë fluksin dhe mbingarkesën e bazës ekzistuese në Wilhelmshaven, e cila deri më tani ka mbajtur peshën kryesore të operacioneve të marinës në Detin e Veriut.
Përfaqësues nga dikasteri i mbrojtjes sqaruan se Wilhelmshaven do të vazhdojë të ruajë rolin e saj kyç, ndërsa kompleksi i ri në Emden do të funksionojë si një shtesë dhe lehtësim për të.
Sipas Pistorius, zgjerimi i marinës gjermane është një përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj rreziqeve në rritje gjeopolitike dhe domosdoshmërisë për të përmbushur detyrimet ndaj Aleancës Atlantike për mbrojtjen dhe parandalimin.
“Aktualisht kemi marinën më të vogël në historinë e Bundeswehr-it dhe në të njëjtën kohë grupin më të madh dhe më të gjerë të detyrave. Prandaj marina duhet të rritet dhe do të rritet”, deklaroi ai pa e fshehur shqetësimin për disbalancën aktuale.
Ministri shtoi se në dritën e sfidave aktuale të sigurisë, sidomos në rajonet e Detit Baltik, Detit të Veriut dhe Atlantikut Verior, kjo masë merr peshë vendimtare, pasi forcon dukshëm mekanizmat parandalues të Berlinit dhe të vetë NATO-s.
Vlera e këtij investimi madhor ushtarak parashikohet të kapë shifrën e disa miliardë eurove, mbështetur në të dhënat e bëra publike nga qarqet informative.
Objektivi i autoriteteve është që baza e re të jetë plotësisht funksionale deri në vitin 2030, kohë kur ky lokacion pritet të akomodojë deri në 2,000 efektivë të forcave të armatosura dhe staf civil.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: