Kronikë
Bilanci tragjik i zjarreve në Maqedoninë e Veriut: 41 mijë hektarë të shkrumbuara dhe dëme milionëshe
Reklamë e Sponsorizuar
Sezoni i fundit i vatrave të zjarrit ka lënë pas një panoramë shkatërruese në mbarë vendin, duke shkrumbuar dhjetëra mijëra hektarë tokë, duke shkaktuar dëme materiale që kapin shifrën e miliona eurove dhe duke vënë nën hetim dhjetëra persona për zjarrvënie të qëllimshme.
Referuar statistikave zyrtare, gjatë vitit 2026 janë regjistruar rreth 41 mijë hektarë sipërfaqe të djegura. Ndërkohë, Ndërmarrja Publike Pyjet Kombëtare raportoi se vetëm deri në mbyllje të muajit korrik janë shënuar 138 incidente zjarrfikëse në pyje, me dëme financiare që në atë fazë llogariteshin mbi 4 milionë euro.
Kriza e zjarreve u shtri edhe përgjatë muajit gusht, ndërsa bilanci përfundimtar mbetet ende për t'u përllogaritur plotësisht, pasi temperaturat e larta favorizuan vatrat e reja edhe gjatë muajit shtator.
"Këtë vit deri në muajin korrik kishim 138 zjarre. Në muajin shtator ky numër do të arrije deri në 150 zjarre që do të thotë se vitin do e mbyllim me këtë numër. Këtë vit deri në muajin e shtatë, dëmi ka kaluar mbi katër milion euro por duke mos llogaritur edhe zjarret e mëdha që nuk janë llogaritur siç ishte ai në Kitkë i cili ishte një nga zjarret më të mëdhenj këtë vit", deklaroi Kire Mihailov, zëvendësdrejtor i Ndërmarrjes Publike Pyjet Kombëtare.
Autoritetet renditën gjithashtu masa konkrete kundër keqbërësve, ku deri në përfundim të muajit gusht janë shoqëruar dhe ndaluar 30 persona si të dyshuar për ndezje të qëllimshme të zjarreve.
"Nga informata që e kam, më shumë se 30 persona në vitin 2026, ishin të ndaluar nga policia nën dyshimin se janë piromanë. Procedurat janë në vijim dhe gjykata dhe prokuroria e vazhdojnë procedurën por ky numër është numër serioz", shtoi Mihailov.
Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Revizionit, situata ka qenë kritike edhe në vitet e kaluara, ku vetëm gjatë periudhës 2023-2025 janë shkatërruar nga flakët mbi 82 mijë hektarë tokë dhe më shumë se 914 mijë metra kub dru në pyjet e vendit.
Vlera totale e dëmeve për këtë hark kohor llogaritet në rreth 133 milionë euro. Statistikat tregojnë se viti 2024 ka qenë më katastrofiku, me dëme që i kaluan 83 milionë euro.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: