Kronikë
Bashkëpunim i fortë institucional: Kryeprokurori Gashi dhe u.d. i Speciales, Paca, caktojnë prioritetet në luftën kundër krimit
Reklamë e Sponsorizuar
Kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi, ka pritur në një takim zyrtar ushtruesin detyrës së Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Dren Paca, me rastin e marrjes së detyrës së re, duke i dëshiruar suksese dhe mbarësi në angazhimet e tij të ardhshme.
Gjatë këtij takimi, dy krerët e institucionit të akuzës janë pajtuar që të shtojnë ndjeshëm bashkëpunimin dhe përpjekjet e përbashkëta për një luftë pa kompromis ndaj korrupsionit të zyrtarëve të lartë, krimit të organizuar, terrorizmit, krimeve të luftës, si dhe dukurive të tjera të rënda kriminale. Po ashtu, u vu theksi te domosdoshmëria e forcimit të bashkëpunimit juridik ndërkombëtar me partnerët strategjikë të vendit, me qëllim të goditjes efektive të krimeve transnacionale që cenojnë sigurinë dhe rendin ligjor.
Përveç ndjekjes penale të autorëve, fokus parësor i organeve të drejtësisë do të jetë edhe kryerja e hetimeve financiare të thelluara. Kjo do të përfshijë identifikimin, bllokimin dhe konfiskimin e aseteve të fituara në mënyrë të paligjshme përmes veprave penale që i takojnë juridiksionit të Prokurorisë Speciale, duke siguruar një zbatim sa më efikas të Ligjit për Kompetencat e Zgjeruara të Konfiskimit të Pasurisë.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: