Kronikë
Përplasje në Kuvend: PDK kërkon votimin e Ligjit për Specialen në orën 17:30, Haxhiu kërkon konsensus për presidentin
Reklamë e Sponsorizuar
Kryesuesja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka refuzuar iniciativën e Partisë Demokratike të Kosovës për të trajtuar sot në orën 17:30 projektligjin që synon ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Kundërshtimi i Haxhiut erdhi si përgjigje ndaj mocionit procedural të ngritur nga deputeti i PDK-së, Arian Tahiri, i cili kërkoi shmangie nga afatet e rregullta parlamentare të parapara në Rregulloren e Kuvendit.
Gjatë fjalës së tij, Tahiri detajoi një agjendë të ngjeshur kohore, duke kërkuar që amendamentet të dorëzohen në Komisionin Funksional për Legjislacion deri në orën 14:30. Sipas propozimit të tij, ky komision do të duhej ta shqyrtonte nismën deri në orën 15:30 dhe t'ua përcillte komisioneve të përhershme, të cilat do të kishin kohë deri në orën 16:30 për t'i shqyrtuar raportet dhe për t'i kthyer sërish në Komisionin për Legjislacion, që nga ana e tij do t'ia dorëzonte Kuvendit raportin përfundimtar për shqyrtim të dytë në seancë plenare deri në orën 17:00.
Në vijim të propozimit, deputeti Tahiri kërkoi që faza e dytë e shqyrtimit të këtij projektligji të mbahet gjatë ditës së sotme, saktësisht në orën 17:30.
Si kundërpërgjigje ndaj kësaj kërkese, kryesuesja Haxhiu ftoi subjektet politike që të ulen në një tryezë diskutimi dhe të arrijë një marrëveshje gjithëpërfshirëse rreth procesit të zgjedhjes së presidentit të vendit.
"Pas takimit ndërmjet kryetarëve mund të vijmë në dakordim për çështjen në fjalë. Nuk e kuptoj si ka mundësi që, pa kaluar pak orë, vini dhe ndryshoni qëndrimin. Është shumë e rëndësishme që të jemi bashkë dhe t’i japim vendit president. Prandaj ju ftoj që të takoheni, të merreni vesh dhe të vini në seancë," theksoi Haxhiu.
Duke shprehur hapur kundërshtimin e saj ndaj çdo skenari që do ta dërgonte shtetin drejt zgjedhjeve të parakohshme për shkak të kësaj çështjeje, ajo përfundoi: "Ne nuk mund ta çojmë vendin në zgjedhje për shkak të presidentit".
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: