Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Sport

Zvonvonir Boban flet pa doreza: Nga drejtimi i FIFA-s, ambiciet e Milanit te kritikat për situatën e Sucic

Redaksia Lajmetereja • 05-10-2026 13:41
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
Zvonvonir Boban flet pa doreza: Nga drejtimi i FIFA-s, ambiciet e Milanit te kritikat për situatën e Sucic
Zvonimir Boban ka trajtuar disa prej temave më të nxehta të futbollit global, duke dhënë opinionet e tij rreth zgjedhjeve në FIFA, perspektivës së Kupës së Botës, ecurisë te Milani dhe minutazhit të kufizuar të Petar Sucic te Interi. Në një intervistë për “Radio Anch’io Sport”, ish-mesfushori i njohur kuqezi ka analizuar pa doreza zhvillimet aktuale në skenën ndërkombëtare të këtij sporti. Duke u ndalur te raportet e tensionuara mes FIFA-s dhe UEFA-s, kroati shpreh bindjen se situata do të qetësohet dhe se nuk do të ketë një përshkallëzim të konfliktit mes dy shtëpive të mëdha të futbollit. “Besoj se në fund gjithçka do të qetësohet. Askush nuk do të bëjë luftë me askënd. Pavarësisht disa gabimeve, për të cilat edhe unë e kam kritikuar, nuk mund të mohojmë gjërat e mira që ka bërë Infantino. Në fund do të votohet për të”, deklaroi kroati. Sipas Bobanit, kreu aktual i shtëpisë botërore të futbollit nuk ka ndonjë kundërshtar të fortë në horizont për garën e ardhshme zgjedhore. “Nuk mendoj se do të ketë opozitë, por edhe nëse do të ketë, nuk do të ketë forcën për ta mundur. Ai ka kontrolluar Azinë, ndërsa Amerika e Jugut dhe Afrika kanë mbetur me të. Europa nuk besoj se është aq homogjene sa mendohet. Pastaj është gjithmonë dëshira e UEFA-s për të treguar se është më e fortë se FIFA. Por FIFA është ajo që qeveris”, u shpreh Boban. Teksa ka komentuar idenë e mundshme të zgjerimit të Kupës së Botës në 64 skuadra, ai ka theksuar se një ndryshim i tillë nuk do të përbënte ndonjë katastrofë për lojën. “Loja nuk duhet të humbasë. Kemi një Evropian me 24 skuadra nga 55 federata dhe një Botëror çdo katër vjet me 48 skuadra nga 211 federata. Nuk mendoj se do të zgjerohet në 64 skuadra, por nuk do të ishte dramë nëse ndodh”, tha ai. “Është bukur të shohësh kombet e vogla të rriten, të marrin pjesë dhe të argëtohen. Nuk e shoh si problem që të kemi më shumë skuadra”, shtoi Boban. Duke u zhvendosur te Milani, klub me të cilin ka një lidhje të pashlyeshme, ish-drejtuesi i klubit theksoi se synimet e “Rossonerëve” duhet të jenë shumë më të larta sesa thjesht sigurimi i një bilete për në Ligën e Kampionëve. “Nuk mund të jemi mediokër. Nëse çdo vit pranojmë se ambicia më e madhe është të shkojmë në Champions, atëherë do të thotë se nuk kam kuptuar asgjë nga Milani”, theksoi ai. Në lidhje me punën e Ruben Amorimit, Boban vlerësoi se është ende e parakohshme për të dhënë një verdikt përfundimtar mbi ecurinë e tij. “Amorim? Është ende herët, por mua nuk më pëlqen asnjëherë kur luan me tre mbrojtës. Me Leccen shkoi më mirë se në ndeshjet e tjera, por jemi vetëm në fillim të procesit dhe duhet t’i japim pak kohë. Duhet të bindë me rezultate”, tha kroati. Në mbyllje të intervistës, Boban shprehu hapur pakënaqësinë e tij për situatën e bashkëkombësit të tij, Petar Sucic, në radhët e Interit. “Mendoj se duhet të ketë më shumë hapësirë. Është një lojtar i kompletuar, i jashtëzakonshëm, me shumë klas dhe shumë kurajë. Kuptohet që nuk ndihet mirë. Nëse vazhdon kështu, nuk e di çfarë kuptimi ka që të qëndrojë te Interi”, deklaroi Boban.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:
Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar