Politikë
Filipçe: Vizita e Von der Leyen demantoi mashtrimet e Mickoskit për çështjen e identitetit
Reklamë e Sponsorizuar
Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, gjatë konferencës për shtyp të mbajtur sot, u shpreh se vizita e Ursula von der Leyen ka nxjerrë në pah të vërtetën dhe ka rrëzuar pretendimet e rreme të kryeministrit Hristijan Mickoski lidhur me rrezikimin e identitetit maqedonas.
Sipas tij, kreu i ekzekutivit ka humbur çdo argument për të manipuluar opinionin publik. "Hristijan nuk ka më se për çfarë të gënjejë. Ai nuk mund të fshihet pas petkut të patriotit që kinse mbron interesat kombëtare, sepse faktet tregojnë se ato janë të siguruara dhe askush nuk mund t'i cënojë ato në asnjë rrethanë. Natyrisht që ai nuk ndihet rehat nga kjo vizitë, pasi Presidentja Von der Leyen ia demantoi mashtrimet," u shpreh Filipçe.
Më tej, ai solli në vëmendje premtimet e kaluara elektorale të Mickoskit rreth Marrëveshjes së Prespës, duke kujtuar se ndryshe nga akuzat e dikurshme se ajo rrezikon identitetin, tani realiteti flet ndryshe. "Ai dikur premtonte se identiteti është në rrezik dhe se do ta zhbënte Marrëveshjen e Prespës. Mirëpo, çfarë ndodhi në realitet? Asgjë. Vetë zyrtarët e lartë, përfshirë Presidenten Gordana Siljanovska, konfirmuan se kjo marrëveshje e mbron identitetin tonë kombëtar," shtoi ai.
Filipçe theksoi se pozicionet e mbajtura vazhdimisht nga LSDM-ja në mbrojtje të gjuhës dhe identitetit maqedonas kanë marrë konfirmimin zyrtar, ndërkohë që narrativa e udhëhequr nga Mickoski është shembur përfundimisht.
“Është më se e qartë se ky kast politik erdhi në pushtet përmes mashtrimeve, duke u shitur si patriotë të rremë, dhe tani tenton të mbajë pushtetin me po të njëjtat gënjeshtra. Çdo gjë që kemi deklaruar deri më tani ka marrë vulën e vërtetësisë: identiteti është i garantuar përmes Marrëveshjes së Prespës, ndërsa gjuha është konfirmuar zyrtarisht me marrëveshjen e Frontex-it, e cila është firmosur në gjuhën e pastër maqedonase,” deklaroi lideri i opozitës.
Në fund, ai paralajmëroi se mbajtja e shtetit në izolim politik përbën një rrezik serioz për të ardhmen e vendit dhe dëmton drejtpërdrejt interesat jetike të qytetarëve.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: