Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Kronikë

Dështon seanca gjyqësore ndaj ish-zyrtarëve të Telekomit dhe të pandehurve të tjerë për aferën “Zone Mobile”

Redaksia Lajmetereja • 05-10-2026 13:03
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
Dështon seanca gjyqësore ndaj ish-zyrtarëve të Telekomit dhe të pandehurve të tjerë për aferën “Zone Mobile”
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka dështuar të mbahet të mërkurën shqyrtimi fillestar i përsëritur ndaj ish-drejtorit të Marketingut në Telekom, Trim Musliu, si dhe gjashtë të pandehurve të tjerë: Armend Osaj, Denis Ceman, Kreshnik Musliu, Alban Limani, Fatbardh Ajvazi dhe Gazmend Hyseni, të cilët poballafaqohen me akuza për korrupsion dhe vepra të tjera penale. Sipas aktakuzës, Trim Musliu dhe Armend Osaj akuzohen për përvetësimin e telefonave celularë. Këta të dy, krahas Kreshnik Musliut dhe Denis Cemanit, ngarkohen gjithashtu edhe për falsifikim dokumentesh. Ndërkohë, Alban Limani dhe Fatbardh Ajvazi akuzohen për mashtrim, keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik, si dhe për shmangie nga tatimi, kurse Gazmend Hyseni akuzohet për paraqitjen e dokumenteve të rreme lidhur me çështjet tatimore. Gjatë seancës, i pandehuri Gazmend Hyseni deklaroi se e pranon fajësinë. Megjithatë, avokatja e tij mbrojtëse, Arbenita Aliu, pas një konsultimi me të, i rekomandoi atij që të mos vazhdohet tutje pa u pajisur më parë me të gjitha shkresat e plota të lëndës. “Pasi që Gazmend Hyseni qysh në fazë të hershme ka dhënë kontributin për bashkëpunim me Prokurorinë, konsideroj se ky vullnet i tij qëndron edhe pse unë si mbrojtje e këshillova që pa shkresat e lëndës nuk do të vazhdoja më tutje, por pasi që vullneti i tij është i rëndësishëm, andaj unë nuk e kontestoj”, u shpreh avokatja Aliu, duke shtuar se ajo e kishte marrë përsipër mbrojtjen e Hysenit vetëm kohët e fundit. Në këto rrethana, gjyqtarja Violeta Namani-Hajra konstatoi se nuk ekzistonin kushtet ligjore për mbajtjen e këtij shqyrtimi fillestar, për shkak se mbrojtja nuk mund të deklarohet përfundimisht rreth pranimit të fajësisë pa shqyrtuar paraprakisht të gjithë lëndën. Për këtë arsye, seanca u shty për një datë tjetër. Ky proces gjyqësor fillimisht ishte duke u udhëhequr nga gjyqtari Arben Hoti, por pas avancimit të tij në Gjykatën e Apelit, lënda i kaloi për menaxhim gjyqtares Namani-Hajra. Në shqyrtimin e mëparshëm fillestar të mbajtur më 5 nëntor 2024, të pandehurit Denis Ceman dhe Gazmend Hyseni kishin shprehur pranimin e fajësisë, mirëpo për shkak të ndryshimit të kryetarit të trupit gjykues, procedura e shqyrtimit fillestar u desh të rinisë nga fillimi. Në lidhje me pretendimet e Prokurorisë, në aktakuzën e ngritur më 26 qershor 2024 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), theksohet se Trim Musliu, gjatë periudhës nga 21 janari deri më 24 prill 2019, në cilësinë e drejtorit të Marketingut në Telekomin e Kosovës, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, kishte lidhur kontratë me kompaninë “Zone Mobile” për furnizimin me 239 telefona celularë. Sipas prokurorisë, nga ky kontingjent ai kishte përvetësuar 153 aparate për vete, ndërsa në një furnizim të dytë prej 16 telefonash, kishte përvetësuar 11 prej tyre, duke arritur një total prej 163 telefonash të përvetësuar në vlerë prej 164,847 euro e 83 centë, veprime këto që përbëjnë veprën penale “Përvetësimi në detyrë”. Ndërkaq, në pikën e dytë të aktakuzës, Armend Osaj akuzohet se nga 3 shtatori deri më 30 shtator 2019, në cilësinë e drejtorit të Financave dhe Thesarit në Telekomin e Kosovës, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm, ka lidhur kontratë po ashtu me “Zone Mobile” për furnizim me pajisje teknologjike, telefona, USB dhe modema në vlerë prej 207,733 euro e 10 centë, duke pranuar në total 305 aparate celularë dhe duke përvetësuar një pjesë të konsiderueshme të tyre për nevoja personale.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:
Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar