Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Sport

Epoka pas Lionel Messit: Kush do ta trashëgojë fanellën legjendare me numrin 10 tek Argjentina?

Redaksia Lajmetereja • 05-10-2026 11:01
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
Epoka pas Lionel Messit: Kush do ta trashëgojë fanellën legjendare me numrin 10 tek Argjentina?
Lionel Messis po i afrohet fundit të rrugëtimit të tij të jashtëzakonshëm me kombëtaren e Argjentinës, ndërkohë që në opinionin sportiv tashmë ka nisur debati se kush do ta marrë përsipër përgjegjësinë për të mbajtur veshur fanellën ikonike me numrin 10. Të martën në mbrëmje, në “Estadio Monumental”, 39-vjeçari pritet të regjistrojë paraqitjen e tij të 208-të dhe njëkohësisht të fundit me fanellën e “Albicelesteve”, në sfidën përballë Beninit. Ai largohet si një legjendë e vërtetë dhe rekordmen absolut i ndeshjeve dhe golave, me 125 realizime në total, pasi përgjatë karrierës së tij ndërkombëtare e ngriti Argjentinën në majën e botës me triumfin në Kupën e Botës dhe dy trofe radhazi të Copa América. Me largimin e tij, fanella me numrin 10 do të mbetet një nga objektet më të shenjta dhe simbolet më madhështore të futbollit argjentinas. Kjo trashëgimi e rëndë, e lidhur pazgjidhmërisht edhe me emrin e madh të Diego Maradonës, në të kaluarën është mbajtur për periudha të caktuara edhe nga figura të shquara si Pablo Aimar, Ariel Ortega dhe Juan Román Riquelme. Megjithatë, ekspertët vlerësojnë se askush nuk pritet të zëvendësojë në mënyrë të drejtpërdrejtë Lionel Messin, për shkak të ndikimit të jashtëzakonshëm që ai ka pasur në skuadër. Për këtë arsye, Argjentina do të duhet të adoptojë qasje të reja për të ruajtur standardet e larta, ku disa lojtarë do të thirren për të marrë përsipër role lideri. Në këtë drejtim, Julian Alvarez paraqitet si alternativa më e sigurt. Sulmuesi i Atletico Madridit dëshmoi rëndësinë e tij gjatë ciklit kualifikues për Botërorin 2026, në ato raste kur Messi mungonte ose nuk figuronte në formacionin bazë. Gjatë asaj periudhe, ai realizoi shtatë gola dhe tashmë gëzon një pjekuri të madhe nga eksperienca në nivelet elite të futbollit evropian. Një tjetër profil tejet interesant është ai i Nico Pazit. 22-vjeçari konsiderohet si lojtari që i afrohet më së shumti tipareve të Messit, falë aftësive teknike, kreativitetit dhe këmbës së majtë. Pasi ka rënë në sy me paraqitjet e tij te Como dhe ka marrë lëvdata nga vetë Messi, ai është vlerësuar nga trajneri Cesc Fabregas si një futbollist me guxim të lartë, vizion të qartë dhe ambicie të pakufishme. Në garë përfshihet gjithashtu Franco Mastantuono, 19-vjeçari që e ka provuar tashmë ndjesinë e veshjes së fanellës me numrin 10 të Argjentinës. Anësori i talentuar, i cili kaloi nga River Plate te Real Madridi dhe aktualisht lënë i huazuar te Fiorentina, cilësohet si një lojtar i drejtpërdrejtë, i besueshëm dhe me elementë të ngjashëm në stil loje me ikonën argjeninase. Thiago Almada mbetet një tjetër opsion serioz. Mesfushori ofensiv ka qenë vazhdimisht ndër preferencat kryesore të selektorit Lionel Scaloni, dhe pas një faze sfiduese në kontinentin e vjetër, ai është rikthyer në atdhe te River Plate. Fillimi i tij në këtë aventurë ka qenë shumë premtues, duke shënuar dy herë në pesë paraqitjet e para si titullar. Pavarësisht opsioneve, mesazhi kryesor mbetet se Argjentina nuk duhet ta konceptojë këtë tranzicion si një zëvendësim klasik të Messit. Kombëtarja mbështetet në një bosht të fortë që përfshin Julian Alvarezin, Nico Pazin, Mastantuonon, Enzo Fernandezin dhe Alexis Mac Allisterin, ndërsa mbrojtësi Cristian Romero pritet të trashëgojë shiritin e kapitenit. Mbbyllja e epokës së madhe të Messit shënon njëkohësisht nisjen e një kapitulli të ri për Argjentinën, e cila do të kërkojë të ndërtojë një identitet të freskët pa lojtarin që për më shumë se dy dekada shërbeu si shtylla kurrizore e ekipit.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:
Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar