Sport
Operacioni i FBI-së në Los Angeles: Arrestohet 34-vjeçarja e dyshuar si agjente e Kinës
Reklamë e Sponsorizuar
Autoritetet federale të Shteteve të Bashkuara kanë ndaluar një 34-vjeçare nga Kalifornia në Aeroportin Ndërkombëtar të Los Angeles, pikërisht në momentin kur ajo po tentonte të largohej nga vendi për t’u kthyer në Kinë.
E identifikuar si Wanying Zhang, e njohur edhe me emrin “Heather”, banuese në Irvine, ajo u arrestua të dielën nga agjentët e FBI-së. Ndaj saj rëndojnë akuza të rënda në një padi federale, ku pretendohet se ka shërbyer si agjente e paregjistruar e Republikës Popullore të Kinës në territorin amerikan. Lajmin për arrestimin e saj e bëri të ditur përmes një njoftimi zyrtar në rrjetin social X, Ndihmës Prokurori i Parë i SHBA-së, Bill Essayli.
Sipas dokumenteve të siguruara nën betim, hetimet zbuluan se gjatë vitit 2025, Zhang kishte udhëtuar drejt Seattle. Ajo dyshohet se, nën udhëzimet direkte të zyrtarëve kinezë, ka monitoruar lëvizjet e një familjari të afërt të një zyrtari të lartë të qeverisë së Tajvanit.
Prokuroria amerikane pretendon se e dyshuara ka mbledhur dhe dërguar në Kinë materiale komprometuese, duke përfshirë fotografi, video dhe të dhëna për targat e automjeteve të personit nën mbikëqyrje. Për të realizuar këto aktivitete, ajo thuhet se ka bashkëpunuar me persona të tjerë dhe ka zbatuar taktika të sofistikuara për të shmangur vëmendjen e autoriteteve të sigurisë.
Sipas akuzës, Zhang ka shkelur ligjin duke mos e njoftuar Prokurorin e Përgjithshëm të SHBA-së për rolin e saj si përfaqësuese e një qeverie të huaj. Ajo pritet të paraqitet këtë të hënë para gjykatës federale në Los Angeles për t’u njohur me masën e sigurisë.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: