Aktuale
Zëri i studentëve bashkohet me protestën për UÇK-në: Ftesë për mobilizim masiv në Prishtinë
Reklamë e Sponsorizuar
Përfaqësuesit e studentëve nga institucionet publike të arsimit të lartë në vend kanë shprehur mbështetjen e tyre të plotë për protestën mbarëpopullore të organizuar nga nisma “Jo në emrin tim”. Tubimi është caktuar të mbahet nesër, më 5 tetor, duke filluar nga ora 08:00, në sheshin “Skënderbeu” në kryeqytet.
Këtë vendim e kanë zyrtarizuar parlamentet studentore, Këshillin e Studentëve të Fakultetit Juridik të UP-së, Këshilli i Studentëve të Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit, Këshilli i Studentëve i Fakultetit Filozofik, si dhe organizatat studentore “Unioni Demokratik Studentor” dhe “Reforma”. Përmes shpërndarjes së thirrjeve publike, këto struktura i janë bashkuar thirrjes për mobilizim dhe kërkesës së prerë drejtuar ligjvënësve për miratimin e ligjit.
“Ligji për UÇK-në duhet të kalojë nesër!”, thuhet në mesazhin e afishes zyrtare të protestës që është shpërndarë gjerësisht nga përfaqësuesit e studentëve.
Ky organizim vjen në një kohë kur Kuvendi pritet të mblidhet në orët e mëngjesit për shqyrtimin e këtij projektligji. Ndërkohë, organizatori Çlirim Haziri ka bërë të ditur se qytetarët dhe mbështetësit e nismës do të qëndrojnë në shesh gjatë gjithë natës, për të pritur deputetët në prag të fillimit të seancës plenare.
Ky solidarizim i madh i studentëve u shtohet protestave dhe thirrjeve që tash e 19 ditë po bëhen për miratimin e menjëhershëm dhe pa vonesa të ligjit që garanton mbrojtjen e vlerave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe luftëtarëve të lirisë.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: