Politikë
Zgjedhja e Presidentit pas 16 shtatorit, Bedri Hamza sinjalizon ndryshim të qasjes së PDK-së
Reklamë e Sponsorizuar
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka lënë të hapur mundësinë që subjekti që ai drejton të rishikojë qëndrimin e tij lidhur me procesin e zgjedhjes së Presidentit të vendit, në dritën e zhvillimeve të reja politike që priten pas datës 16 shtator.
Gjatë një prononcimi pas mbledhjes së Këshillit Drejtues të PDK-së, Hamza theksoi se situata e krijuar së fundmi përbën rrethana krejtësisht të reja, mbi të cilat formacioni i tij politik do të harmonizojë pozicionet e veta.
“Jemi në rrethana të reja, jemi në gjendje të re, në gjendje që nuk ka të bëjë veç me të kaluarën, nuk ka të bëjë me individë. Ka të bëjë me shtetin, dhe ka të bëjë me të ardhmen e shtetit, dhe mbi bazën e këtyre rrethanave të reja ne normalisht që i ndërrojmë edhe i përshtatim edhe qëndrimet tona për çështje të cilat kanë të bëjë me të ardhmen dhe perspektivën e shtetit”, u shpreh Hamza.
I pyetur se a do ta mbështeste PDK-ja një kandidaturë të mundshme për shef shteti të ardhur nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, lideri i opozitës u tregua i rezervuar, duke nënvizuar se për tema të tilla nuk mund të diskutohet pa pasur një propozim zyrtar dhe konkret mbi tavolinë.
Ndërkohë, ai konfirmoi se ka zhvilluar takime konsultative me krerët e subjekteve të tjera politike të vendit.
“Nuk mundem me fol në mënyrë hipotetike, para se me ardhë në këto tema. Unë jam takuar, dhe jam i gatshëm me u takuar, jam takuar me kryetarët e tri partive politike, edhe me zotin Kurti, edhe me zotin Avdixhiku, edhe me zotin Gjini, jam në komunikim, dhe është krejt normale që për tema kaq të rëndësishme dhe situata kaq të rëndësishme për vendin që të ketë takime”, shtoi ai.
Sa i përket çështjes së drejtësisë ndërkombëtare, Hamza bëri të ditur se nisma e re ligjore për Dhomat e Specializuara adreson në masë të konsiderueshme shqetësimet e ngritura më parë rreth këtij institucioni gjyqësor, duke shtuar se në këtë proces janë përfshirë ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë të fushës.
Ai gjithashtu vuri në dukje se në draftin e ri është paraparë mundësia e zhvillimit të procedurës së apelit.
“Deputetët e kanë punën e vet, ne jemi konsultuar me ekspertë të brendshëm dhe të jashtëm dhe besoj që drafti i ligjit i propozuar i adreson në masë të caktuar shqetësimet të cilat kanë ndodhur rreth kësaj gjykate. Ne kemi lejuar apelin që të zhvillohet aty, dhe arsyeja pse? Sepse ne dëshirojmë t'ia dhënë edhe një mundësi kësaj gjykate që të ketë vendim të drejtë, e kanë mundësinë. Dhe sigurisht se ligji është i konsultuar dhe i draftuar nga ekspertë të fushës, të cilët kanë një përgatitje jashtëzakonisht të lartë profesionale”, tha Hamza.
Në këtë linjë, PDK-ja ka kërkuar trajtim institucional të kornizës ligjore të Speciales, si dhe mbështetje të gjerë shtetërore për fazën e apelimit. Sipas Hamzës, kjo çështje i kalon kufijtë e interesave partiake dhe kërkon një mobilizim gjithëpërfshirës.
“Ne vazhdojmë me punu që të ketë drejtësi. E kemi procesuar ligjin në kuvend, kemi kërkuar dhe kërkojmë mbështetje edhe nga partitë tjera politike, që ligji të procedohet sa më shpejtë dhe ligji të jetë në fuqi sa më shpejtë. Dhe një prej pikave të deklaratës që është votuar unanimisht në Këshillin Drejtues është shqyrtimi institucional i kornizës ligjore të dhomave të specializuara. Ky proces kërkon një përkrahje të gjithanshme edhe juridike, institucionale për shkak se është një çështje e madhe”, përfundoi kryetari i PDK-së, Bedri Hamza.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: