Kronikë
Nata e 19-të e protestave në Prishtinë: Kërkohet fuqimisht ndryshimi i Ligjit për Gjykatën Speciale
Reklamë e Sponsorizuar
Për të 19-tën natë me radhë, një numër i madh qytetarësh janë mbledhur këtë të diel në mbrëmje në sheshin “Skënderbeu” në kryeqytet, për të shprehur revoltën e tyre ndaj vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë për dënimin e katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ky tubim radhazi vjen si shenjë pakënaqësie ndaj aktgjykimit të fundit, të cilin pjesëmarrësit e cilësojnë si të padrejtë. Në këtë kuadër, ata po kërkojnë ndërhyrje ligjore për të ndryshuar Ligjin për Dhomat e Specializuara, duke u drejtuar te ndërtesa e Kuvendit të Kosovës me thirrje urgjente drejtuar deputetëve që të miratojnë plotësim-ndryshimet e nevojshme.
Çlirim Haziri, ndër organizatorët e nismës protestuese “Jo në emrin tim!”, ka bërë thirrje publike që qytetarët e pranishëm të qëndrojnë në shesh përgjatë gjithë natës deri në orët e para të mëngjesit të së hënës, pikërisht në kohën kur është parashikuar nisja e seancës.
Në anën tjetër, Kuvendi i Kosovës ka thirrur seancë plenare për të hënën në orën 09:00, ku në rend dite pritet të jetë shqyrtimi i Projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Procesi do të kalojë fillimisht në filtrin e Komisionit për Legjislacion, i cili do të mblidhet të hënën në orën 08:00 për të shqyrtuar këtë projektligj para se ai të dërgohet në seancë plenare.
Kujtojmë se gjatë ditëve të kaluara, Qeveria e Kosovës ka dalë me qëndrim se nuk ekzistojnë pengesa juridike për nismën e ndërmarrë nga PDK-ja, e cila synon ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: