Sport
Ndikimi i agjenturave dhe skandalet e sigurisë në Shqipëri: Nga kreu i SHISH te ambasadat
Reklamë e Sponsorizuar
Kriza në institucionet e sigurisë kombëtare ka arritur kulmin e saj pas masës së sigurisë “arrest shtëpie” dhe shkarkimit nga detyra të kryetares së Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH), Vlora Hyseni.
Në praktikat ndërkombëtare, vendet tregojnë kujdes të jashtëzakonshëm në përzgjedhjen e drejtuesve të mbrojtjes dhe sigurisë, duke besuar informacionet më jetësore te personalitetet më të profilizuara. Megjithatë, qeveria shqiptare e drejtuar nga Edi Rama është përballur me kritika të vazhdueshme për emërime të diskutueshme, përfshirë Pirro Vengun në krye të Ministrisë së Mbrojtjes – një shtetas i një vendi që ruan ende në fuqi ligjin e luftës me Shqipërinë.
Në mars të vitit 2023, me propozim të kryeministrit Edi Rama dhe dekret të presidentit Bajram Begaj, Vlora Hyseni u emruar në krye të SHISH-it. Më parë, ajo kishte shërbyer si nënkryetare e Shërbimit Informativ të Kosovës dhe për një periudhë të shkurtër si drejtuese e tij, përpara se të shkarkohej në qershor të vitit 2021 me propozim të kryeministrit Albin Kurti dhe dekret të presidentes Vjosa Osmani. Mediat kanë raportuar se largimi i saj nga institucionet e inteligjencës në Kosovë ishte shoqëruar me dyshime për mosruajtje të informacioneve të klasifikuara. Në krye të SHISH-it, ajo pasoi Visho Ajazin, ish-drejtor të Zbulimit Politik të SHIK-ut gjatë periudhës 1992-1997.
Një tjetër emërim që ka ngritur pikëpyetje mbi sigurinë kombëtare është ai i ish-kreut të inteligjencës rumune, gjeneralit Florian Coldea, i cili u caktuar si këshilltar për sigurinë i kryeministrit Edi Rama. Coldea, i shkarkuar më parë në Rumani, u arrestua muaj më vonë nga autoritetet vendase për përfshirje në një rrjet trafiku. Lidhja e tij zyrtare me qeverinë shqiptare u konfirmua përmes një shkrese të shtatorit 2023, të firmosur nga sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, Bardhyl Agaçi, dërguar Kuvendit. Lidhur me këtë rast, ish-kryeministri i Rumanisë, Viktor Ponta, ka deklaruar publikisht se nuk e kuptonte arsyen pse Rama kishte nevojë për një këshilltar të tillë, por se prania e tij në kabinetin shqiptar ishte e njohur gjerësisht në Rumani.
Preokupimet rreth sigurisë shtetërore janë shtrirë edhe në strukturat e Policisë së Shtetit. Drejtoresha e Krimit Kibernetik, Ervina Gjana, është lidhur në raporte zyrtare e publike me bashkëjetuesin e saj serb, Renato Hristic, i cili më parë ka shërbyer si shoqërues i Ergys Agasit, duke ngritur shqetësime mbi ndikimet e mundshme në brendësi të strukturave policore.
Sfidat e sigurisë kanë prekur edhe përfaqësitë diplomatike të vendit jashtë vendit, ku Ambasada e Shqipërisë në Berlin është bërë subjekt i një hetimi penal për shkelje të rregullave të sigurisë. Procedimi penal ka nisur ndaj ambasadores shqiptare, Aida Sakiqi, dhe shtetasit rus Walter Borisoviç, i punësuar si këshilltar në ambasadë. Policia federale gjermane ka ndërmarrë verifikimet e nevojshme për të zbardhur veprimet e dyshuara dhe shkeljet e protokolleve të sigurisë lidhur me angazhimin e shtetasve të huaj në këtë institucion.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: