Sport
Start i fuqishëm në Superligën e femrave, Teuta triumfon në Shkodër dhe Partizani fiton derbin e parë
Reklamë e Sponsorizuar
Superliga e volejbollit për femra ka vijuar ditën e djeshme me zhvillimin e dy sfidave të radhës për javën e parë të kampionatit, duke dhuruar emocione dhe rivalitet në parket.
Partizani ka kaluar me sukses provën e parë të sezonit, duke fituar derbin e kryeqytetit kundër Dinamos me rezultatin e pastër 0-3 në takimin e luajtur në Farkë. Skuadra e drejtuar nga Andi Lundra e ka dominuar lojën, duke e siguruar fitoren brenda 91 minutave.
Falë eksperiencës më të madhe, të kuqet menaxhuan më mirë momentet kyçe të ndeshjes për të marrë tri pikët e para. Seti i parë ishte tejet i luftuar deri në shifrat 20-20, por në fund ishte Alisa Trubyuk, e ardhur nga Tirana, ajo që vulosi rezultatin 23-25. Dinamika ishte e ngjashme edhe në setin e dytë, ku sërish lojtarja ruse shënoi pikën vendimtare për 20-25, duke dyfishuar avantazhin e Partizanit.
Në setin e tretë, pas një tentative të shkurtër rikthimi nga Dinamo, vajzat e theksuara të Partizanit u shkëputën bindshëm për ta mbyllur atë 14-25, me Kejsi Shirën si protagoniste të pikës së fundit. Xhovana Kaçorri me 21 pikë dhe Aisa Trubyuk me 14 udhëhoqën sulmin e Partizanit, ndërsa te Dinamo u dalluan Najada Lama me 13 pikë dhe Sonia Sulejmani me 12 të tilla.
Në të njëjtën orë, në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”, u përballën Vllaznia dhe Teuta. Me një organikë të përbërë kryesisht nga volejbolliste të reja në moshë, skuadra shkodrane e pati të pamundur të ndalte vrullin e durrsakeve, duke bërë që Teutës t'i duheshin vetëm 83 minuta për të siguruar triumfin 0-3.
Nën drejtimin e trajnerit Edmond Jazexhi, bregdetaret dominuan në të tria setet, të cilat u mbyllën me shifrat e thella 15-25, 16-25 dhe 18-25.
Kështu, Teuta arkivon tri pikët e para të sezonit, duke shfrytëzuar me sukses kalendarin në këtë nisje kampionati. Java e parë do të mbyllet të shtunën me derbin e juglindjes mes Pogradecit dhe Skënderbeut, i cili do të luhet në orën 18:00 në sallën “Arefi Berberi”. Kujtojmë se edicioni u hap të martën në sallën “Farie Hoti”, ku Tirana mposhti Lushnjën me shifrat 3-0.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: