Aktuale
Bedri Hamza: Çështja e Speciales dhe ajo e Presidentit s’kanë lidhje me pazaret politike
Reklamë e Sponsorizuar
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, është prononcuar lidhur me mundësinë e mbështetjes për kandidaturën e Bekim Sejdiut për postin e presidentit, në raport me miratimin e mundshëm të projektligjit për Dhomat e Specializuara në të dy leximet parlamentare.
Gjatë deklaratës së tij, Hamza ka theksuar se këto dy procese janë të ndara nga njëri-tjetri dhe nuk duhet të ndërthuren në asnjë mënyrë.
“E para, duhet me i nda këto dy gjëra. Çështja e ligjit dhe çështja e presidentit janë gjëra të ndara. Ligji është nevojë. Ligji e adreson një çështje që i kalon përmasat e një subjektit politik, e një mandatit të një qeverie. Çështjet e individëve, qytetarëve, është një ligj që kërkon drejtësi edhe me u vërtetuar ajo çka është pastërtia e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ka qenë një luftë e imponuar, populli i Kosovës është organizuar për mbrojtjen e të drejtave të veta, për liri, për pavarësi, për shtet dhe ligji nuk ka të bëjë me një parti politike, nuk ka të bëjë me individë, ka të bëjë me mbrojtjen e të vërtetës historike”, ka deklaruar Hamza.
Kreu i PDK-së ka përsëritur se ky ligj nuk duhet të shërbejë si monedhë këmbimi apo të bëhet pjesë e marrëveshjeve prapa kuintave për zgjedhjen e kreut të shtetit.
“Prandaj këtu po flasim për mbrojtjen e të vërtetës historike. E pastaj, normalisht që pasi që veçse afatet kushtetuese po afrohen për presidentin, gjithmonë partitë politike janë për me biseduar edhe për çështjen qysh me i dhënë vendit institucione. Por nuk është që Partia Demokratike e trajton edhe e konsideron edhe e lejon që kjo çështje të trajtohet në nivel të pazareve politike. Është çështje tjetër puna e ligjit dhe është çështje tjetër puna e presidentit”, ka përfunduar ai.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: