Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Aktuale

Diplomacia e padukshme për Kosovën: Promovohet në Grac libri i ish-ambasadorit Zef Mazi

Redaksia Lajmetereja • 04-10-2026 16:21
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
Diplomacia e padukshme për Kosovën: Promovohet në Grac libri i ish-ambasadorit Zef Mazi
Komuniteti shqiptar në Grac të Austrisë ka mirëpritur promovimin e librit të ish-ambasadorit të Shqipërisë në këtë vend, Zef Mazi, i titulluar ‘‘Kosova: Lufta e heshtur. Diplomacia e padukshme që ndryshoi lojën (1991-1999)’'. Vëllimi dokumenton një periudhë dhjetëvjeçare që hodhi themelet e shtetit të Kosovës. Ky aktivitet u organizua si një bashkëpunim mes Institutit Albanologjik në Grac, Ambasadës së Republikës së Kosovës në Vjenë dhe Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri ‘‘Aleksandër Moisiu’'. Në këtë ngjarje morën pjesë figura të shquara, mësues, intelektualë, studentë dhe aktivistë, përfshirë edhe don Pren Kola, meshtar dhe udhëheqës i Misionit Katolik Shqiptar në Austri. Grac, 2 tetor 2026: Pas prezantimeve në Tiranë, Prishtinë dhe Vjenë, vepra ka mbërritur edhe në Grac për të dëshmuar përpjekjet e një grupi të vogël diplomatësh shqiptarë. Ata u shndërruan në zërin e munguar të Kosovës në arenën ndërkombëtare, në një kohë kur vendi nuk kishte mundësi zyrtare për të artikuluar kërkesat e veta përballë bashkësisë ndërkombëtare. Nikoqiri dhe drejtuesi i Institutit Albanologjik në Grac, Fatos Kryeziu, ka çelur mbrëmjen me një fjalë mirëseardhjeje për të pranishmit. Më pas, Valon Krasniqi, Ministër-Këshilltar në Ambasadën e Kosovës në Vjenë, ka përcjellë mirënjohjen e shtetit kosovar për këtë botim të rëndësishëm. Ai e ka cilësuar Mazi si një dëshmitar dhe protagonist kyç të një epoke vendimtare për njohjen e çështjes së Kosovës në botë, duke vlerësuar lart angazhimin e diplomacisë shqiptare që siguroi mbështetjen e fuqishme të shteteve demokratike. Pjesa qendrore e mbrëmjes është shoqëruar me një bashkëbisedim të hapur me autorin, drejtuar nga Anton Marku, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri ‘‘Aleksandër Moisiu’'. Ai ka vënë në pah karrierën e pasur të Zef Mazit si Ambasador dhe Përfaqësues i Përhershëm i Shqipërisë pranë Kombeve të Bashkuara në Vjenë, Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Bërthamore dhe OSBE-së. Si filolog, historian dhe jurist, Mazi ka mbështetur fuqimisht lëvizjen për pavarësi të Kosovës dhe ka bashkëpunuar ngushtë me qeverinë në ekzil, veçanërisht me Kryeministrin Bujar Bukoshi dhe Presidentin Ibrahim Rugova. Gjatë fjalës së tij, Ambasadori Mazi ka bërë të mekur se për realizimin e këtij libri ka shqyrtuar mbi gjashtë mijë faqe me materiale personale dhe dokumente, proces që i ka marrë afërsisht dy vjet punë. Vepra përmban gjithashtu protokolle dhe fotografi që dëshmojnë rrethanat dhe aktorët kryesorë të periudhës 1991-1999. Sipas tij, bëhet fjalë për një dokument historik dhe jo letrar, i cili pasqyron koordinimin e ngushtë me përfaqësuesit legjitimë të Kosovës, ku Shqipëria foli në instancat më të larta botërore për çështjen e Kosovës, ndonëse jo drejtpërdrejt në emër të saj për shkak të rrethanave ndërkombëtare. Në sesionin e dytë, Ambasadori Mazi iu është përgjigjur pyetjeve të shumta të të pranishmëve, të cilat u fokusuan te roli i diplomatëve dhe shteteve mike në lobimin për pavarësinë e Kosovës, si dhe te perspektiva e integrimit evropian të shteteve të Ballkanit.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:
Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar