Sport
Valon Berisha hapur për Kombëtaren: Të veshësh fanellën e Kosovës është emocioni më i lartë
Reklamë e Sponsorizuar
Mesfushori me eksperiencë, Valon Berisha, u ka bërë thirrje talentëve shqiptarë kudo në botë që të pranojnë ftesën për të mbrojtur ngjyrat e Kosovës, duke e cilësuar këtë eksperiencë si të pazëvendësueshme.
Në një rrëfim ekskluziv dhënë për “Klan Kosova”, Berisha ka evokuar kujtimet e zgjedhjes së tij të bujshme para një dekade për t'u bashkuar me “Dardanët”, duke e quajtur atë një hap të udhëhequr nga emocionet e pastra.
“Ishte një vendim thellësisht emocional. Kam dhënë shpirtin për Kombëtaren time; në radhë të parë ka qenë nder dhe privilegj i jashtëzakonshëm. Kosova është e shenjtë dhe kërkon përkushtim maksimal. Ndjehem jashtëzakonisht krenar për këtë dekadë, pavarësisht se ishte një vendim sfidues”, u shpreh ai.
Futbollisti, i cili pritet të nderohet me një ceremoni zyrtare lamtumirëse, tregoi se lidhja e tij me vendin e origjinës daton që nga fëmijëria e kaluar në Norvegji.
“Ka qenë një vendim i mirëmenduar me zemër. Jam rritur në Norvegji, por e kisha ëndërr që kur Zoti ma fali këtë mundësi dhe më erdhi ftesa, e pranova pa hezitim. Ndeshja me Finlandën ishte një ndjenjë e papërshkrueshme, sidomos realizimi i golit të parë që tashmë mbetet histori”, shtoi mesfushori.
Duke reflektuar mbi rrugëtimin e deritanishëm, Berisha kujtoi sfidat e fillimit dhe sukseset e arritura, duke përmendur afërsinë e madhe dy herë me kualifikimet në Evropian dhe Botëror.
“E kemi nisur rrugëtimin nga balta dhe kemi ndërtuar diçka madhështore. Kemi qenë dy herë shumë pranë kualifikimit në turnetë e mëdhenj. Besoj se i kemi dëshmuar gjeneratës së re se Kosova mund të arrijë gjithçka, duke u dhënë shpresë. Jemi një vend i vogël, por me zemër të madhe”, theksoi tutje ai.
Në fund të rrëfimit të tij, Berisha pati një mesazh të qartë për të gjithë futbollistët e rinj me origjinë shqiptare.
“Kushdo që e ka mundësinë, që ka prindër shqiptarë, e di mirë se nuk ka ndjenjë më të madhe sesa të luash për vendin tënd, për gjakun dhe familjen tënde. Është një vendim që merret me zemër dhe nuk ka kënaqësi më të madhe sesa të dëgjosh brohoritjet e tifozëve dhe të përfaqësosh kombin tënd. Shumë lojtarë po vijnë tani dhe falë Zotit që po ndodh kështu; e di se ka shumë të tjerë që mezi presin të luajnë për Kosovën”, përfundoi Berisha.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: