Politikë
Kërcënim me bombë në Parlamentin grek, autoritetet nisin kontrollet e menjëhershme në godinë
Reklamë e Sponsorizuar
Një situatë alarmi është krijuar pasditen e së dielës në Kuvendin e Greqisë, pasi një person ende i paidentifikuar ka telefonuar në qendrën e thirrjeve të institucionit, duke paralajmëruar për praninë e një mjeti shpërthyes në ambientet e brendshme.
Sipas të dhënave paraprake, personi që ka bërë thirrjen ka qenë një mashkull, i cili ka lajmëruar se është vendosur një bombë që do të shpërthejë në godinë. Megjithatë, telefonuesi nuk ka dhënë detaje apo ndonjë afat kohor se kur mund të ndodhë ngjarja.
Menjëherë pas marrjes së këtij njoftimi, strukturat e sigurisë janë vënë në lëvizje. Njësia e specializuar për neutralizimin e lëndëve eksplozive (TEEM) ka hyrë në godinë për të kryer verifikimet e nevojshme dhe kontrollin e detajuar të hapësirave.
Burimet bëjnë me dije se deri në këto momente qarkullimi i mjeteve në rrugët përreth Kuvendit mbetet i hapur. Gjithashtu, autoritetet konfirmojnë se nuk është konstatuar ende ndonjë objekt i dyshimtë.
Forcat e rendit po punojnë intesivisht për të zbardhur nëse bëhet fjalë për një kërcënim të mirëfilltë apo për një alarm fals, ndërkohë që verifikimet brenda ndërtesës vijojnë.
Ngjarja ka vënë në gatishmëri të lartë agjencitë e sigurisë në vend, të cilat pritet të dalin me një njoftim zyrtar sapo të përfundojnë të gjitha kontrollet e sigurisë.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: