Sport
Simboli i identitetit shqiptar: Xhubleta njihet zyrtarisht edhe përmes një pulle postare
Reklamë e Sponsorizuar
Xhubleta, një nga thesaret më unike të trashëgimisë kulturore kombëtare, ka marrë një dimension të ri duke u shndërruar në një pullë postare zyrtare.
Kryeministri Edi Rama ka ndarë lajmin përmes një postimi, ku thekson se ky emision i ri filatelik i ndërmarrë nga Posta Shqiptare ka për qëllim kryesor evidentimin e vlerave, historisë dhe simboleve të rrënjosura në këtë veshje tradicionale.
“Xhubleta, kjo pasuri e çmuar e trashëgimisë sonë kulturore përjetësohet edhe në një pullë postare, duke sjellë pranë nesh simbolikën, bukurinë dhe historinë e saj”, u shpreh ndër të tjera Rama.
E trashëguar brez pas brezi ndër shekuj në zonat e Malësisë së Veriut, xhubleta përfaqëson një prej dëshmive më të hershme, më autoktone dhe më të spikatura të kulturës sonë popullore.
Prerja e veçantë, palët e zeza e të bardha, ornamentet komplekse dhe simbolet e saj përmbajnë në vetvete kujtesën kolektive dhe mënyrën e jetesës së komunitetit që e krijoi dhe e ruajti atë.
Krijimi i një xhublete kërkon përkushtim maksimal, mjeshtri të lartë, dije tradicionale dhe investim të konsiderueshëm kohe, ku teknika artizanale dhe simbolet shkrihen në një element të fuqishëm identiteti.
Në arkivën e çmuar fotografike të Marubit, xhubleta shfaqet si dëshmi e gjallë e një epoke, e një gjeografie të caktuar dhe e grave malësore që e mbajtën me mburrje. Ato imazhe ruajnë jo thjesht formën e saj, por një rrëfim të tërë që vazhdon të jetë aktual.
Kujtojmë se gjatë vitit 2022, arti i punimit tradicional të xhubletës u kurorëzua me përfshirjen zyrtare në listën e UNESCO-s për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore jomateriale që kërkon ndërhyrje urgjente për ruajtje.
Ky vlerësim i merituar ndërkombëtar shërben njëherësh si burim krenarie kombëtare dhe si një mision për t'i garantuar jetëgjatësi dhe përcjellje brezave të rinj kësaj dije të rrallë.
Nëpërmjet këtij nsikative të re filatelike nga Posta Shqiptare, imazhi i xhubletës shndërrohet në një dokument historik të kohës dhe në një ambasador të kulturës shqiptare, duke udhëtuar nga arkivat e fotografisë te pulla postare dhe nga kujtesa shqiptare në sytë e mbarë botës.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: