Sport
Ethet e ndeshjes Kosovë-Austri: Tifozët e huaj shijojnë Prishtinën, vendësit kërkojnë triumfin në “Fadil Vokrri”
Reklamë e Sponsorizuar
Kryeqyteti është zgjuar sot nën ritmin e ndeshjes së madhe mes Kosovës dhe Austrisë, ndërsa sheshi qendror është mbushur me atmosferë festive nga përkrahësit e të dyja kombëtareve që kanë udhëtuar për të ndjekur nga afër këtë përballje spektakolare në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Në këtë mëngjes të freskët, vizitorët nga Austria kanë ndarë pritjet e lor për sfidën, duke komentuar gjithashtu potencialin e skuadrës së Kosovës dhe figurën e trajnerit Franco Foda, i cili dikur ka drejtuar përfaqësuesen austriake.
Dy tifozë nga Austria, Manuel dhe David, kanë parashikuar një rezultat 2:1 në favor të ekipit të tyre, duke përmendur Sasa Kalajdžić dhe Michael Gregoritsch si realizues të mundshëm, ndërsa nga radhët e Kosovës kanë veçuar Vedat Muriqin dhe Edon Zhegrovën.
“Austria do të fitojë 2:1. Kalajdzhiq dhe Gregoritsch do të shënojnë, ndërsa për Kosovën ndoshta Muriqi. Ai është golashënues i mirë, ose Edon Zhegrova. Ka lojtarë të mirë në Kosovë. Ata i kanë njerëzit që i përkrahin. Janë shumë të mirë, luajnë futboll shumë të bukur. Do të jetë një ndeshje e vështirë sonte. Por vendi i tyre është i bukur, moti është i mirë, njerëzit janë shumë miqësorë, birra është e lirë. Kjo është perfekte,” u shprehën ata.
Një tjetër tifoz austriak, Martin, ka sjellë në vëmendje takimin e parë mes dy përfaqësueseve, të cilin Austria e kishte fituar me shifrat 3:1 në Vjenë.
“Ne ishim mjaft me fat. Nëse Kosova do të shënonte në rastin e parë, loja do të ishte ndryshe. Lojtarët nuk janë aq të rrezikshëm, ndërsa i rrezikshmi është trajneri, sepse ai është nga Austria”, u shpreh ai, duke aluduar te tekniku Foda.
Megjithatë, Garry ka një mendim ndryshe, duke besuar se e kaluara e Fodës në krye të Austrisë nuk do të ketë ndonjë peshë vendimtare në dinamikën e ndeshjes së mbrëmjes.
“Ka kaluar shumë kohë. Ai u largua në vitin 2021/22, pra kanë kaluar rreth pesë vjet dhe nuk e ka më atë kontekst për ta ditur se si luajmë tani”, theksoi ai.
Në anën tjetër, Valton Krasniqi, një adhurues i zjarrtë i Përfaqësueses së Kosovës, ka shprehur një tjetër bindje optimiste për epilogun e kësaj sfide në sheshin e Prishtinës.
“Për Kosovën shënojnë Milot Rashica dhe Vedat Muriqi, ndërsa për Austrinë do të shënojë mbrojtësi i Austrisë”, u shpreh Valtoni me besim të plotë te djemtë e dardanëve.
Ai gjithashtu ka analizuar me kujdes barazimin e mëparshëm 0:0 kundër Izraelit, duke evidentuar rastet e shumta që pati skuadra jonë kombëtare.
“E kam përcjellë shumë mirë lojën, me aksione e me të gjitha. Ka kaq qenë lojë shumë e mirë e Kosovës, por na mungoi goli. Te goditja e Kaqurrit, e cila u devijua nga Matoshi, kemi mundur të shënojmë shumë lehtë. Edhe goditja e Zhegrovës, po të mos devijohej nga një mbrojtës, do ta kishim bërë shumë shpejt 1:0”, sipas meje, Edon Zhegrova duhet të aktivizohet që nga fillimi, në minutat e para”, shtoi ai.
Për Valtonin dhe mbarë opinionin sportiv, Edon Zhegrova mbetet çelësi i suksesit që mund të bëjë kthesën ndaj austriakëve, prandaj kërkon angazhimin e tij që në fërshëllimën e parë.
Për Kosovën, ky duel ka një rëndësi jetike në kuadër të Grupit B3 të Ligës së Kombeve.
Austria mban kreun e renditjes me 7 pikë, ndërsa Kosova renditet bashkë me Irlandën me nga 4 pikë, kurse Izraeli mbyll grupin me vetëm një pikë. Një fitore e mundshme sonte do ta afronte jashtëzakonisht shumë Kosovën me vendin e parë.
Ndeshja do të zhvillohet sonte në arenën “Fadil Vokrri”, duke nisur nga ora 18:00. Kjo përballje shërben edhe si një shans ideal për revansh pas disfatës 3:1 në tokën austriake. Ky cikël garash i Ligës së Kombeve do të mbyllet në muajin nëntor me dy sfidat e fundit ndaj Izraelit dhe Irlandës.
Në Ligën B, lideri i grupit siguron ngjitjen direkte në Ligën A, kurse vendi i dytë siguron biletën për në fazën e “play-off”-it për promovim, duke e bërë çdo pikë të artë në luftën për kreun e tabelës.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: