Botë
Pamjet tronditëse nga Gaza, Angelina Jolie: Shkatërrimi dëshmohet qartë edhe përmes Google Earth
Reklamë e Sponsorizuar
Aktorja e njohur amerikane, Angelina Jolie, ka ndarë në rrjetet sociale imazhe satelitore të Rripit të Gazës, duke ngritur alarmin për situatën humanitare dhe nevojat urgjente të popullsisë vendase.
Gjatë reagimit të saj, ajo theksoi se secili tashmë mund të përdorë platformën Google Earth për të parë nga afër përmasat e dëmeve të shkaktuara në këtë territor.
"Vendbanime të tëra u rrafshuan me tokë. Shtëpi, shkolla, universitete, spitale, rrugë, sisteme furnizimi me ujë dhe kanalizime, infrastruktura nga e cila njerëzit vareshin për mbijetesë, u dëmtuan ose u shkatërruan. Analiza e imazheve satelitore nga Kombet e Bashkuara tregoi se, që nga 16 qershori 2026, 82 përqind e ndërtesave në Gaza ishin dëmtuar. Është vlerësuar se afërsisht dy të tretat e këtyre ndërtesave të dëmtuara u shkatërruan", ka shkruar ajo në profilin e saj zyrtar.
Aktorja shtoi se me afrimin e stinës së dimrit, rreth 1.98 milion qytetarë, që përbëjnë 94 përqind të popullsisë totale në Gaza, kanë nevojë imediate për strehim dhe ndihma elementare jetësore.
"Shpërndarja e ndihmës dhe materialeve për strehim vazhdon të përballet me kufizime dhe vonesa. Google Earth e tregon shkatërrimin me një qartësi të jashtëzakonshme. Ajo që nuk mund ta tregojë është se si është të jetosh në mes të atij shkatërrimi, çfarë u ndodhi familjeve që u vranë dhe si është jeta për ata që mbijetuan", u shpreh tutje ajo.
Jolie theksoi gjithashtu se hapat e ardhshëm janë vendimtarë, duke kërkuar sigurimin e strehimit para se të nisë dimri, hyrjen e pakushtëzuar të ndihmave humanitare dhe dërgimin e furnizimeve të nevojshme mjekësore për spitalet.
"Është gjithashtu e nevojshme të krijohen kushte që do t’u lejojnë civilëve të rindërtojnë shtëpitë, shkollat, spitalet dhe komunitetet e tyre. Shkatërrimi është i dukshëm. Nevojat dihen. Ajo që ka rëndësi tani është nëse ato do të plotësohen", përfundoi ajo.
Kujtojmë se aktorja e njohur edhe më parë ka ngritur zërin, duke dënuar veprimet e Izraelit ndaj popullsisë civile në Gaza.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: