Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Aktuale

Pas vendimit të Hagës, Bedri Hamza kërkon unitet dhe mbështetje institucionale për mbrojtjen e vlerave të UÇK-së

Redaksia Lajmetereja • 25-09-2026 17:41
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
Pas vendimit të Hagës, Bedri Hamza kërkon unitet dhe mbështetje institucionale për mbrojtjen e vlerave të UÇK-së
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka dalë në një konferencë për media pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit Drejtues të kësaj partie, ku në fokus të diskutimeve ka qenë situata e re politike e krijuar pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Gjatë këtij takimi, Këshilli Drejtues i PDK-së ka miratuar në mënyrë unanime një Deklaratë Politike e cila përmban tri kërkesa kryesore: procedimin e ndryshimeve ligjore për Dhomat e Specializuara, ofrimin e mbështetjes institucionale për mbrojtjen juridike, si dhe përkrahjen e organizimeve qytetare kundër vendimit të fundit të Hagës. Duke e cilësuar vendimin e gjykatës si të padrejtë dhe pa mbështetje në fakte e dëshmi, kreu i PDK-së theksoi se ky zhvillim cenon rëndë të kaluarën, historinë dhe të ardhmen e vendit. Ai ritheksoi se lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë dhe e pastër, ndërsa shprehu bindjen se përmes argumenteve dhe fakteve ky vendim do të ndryshojë. “Sapo kemi përfunduar mbledhjen e Kryesisë, ku patëm diskutime për situatën aktuale politike në Kosovë, kryesisht të krijuar pas vendimit të Gjykatës së Hagës. E kemi thënë, por e përsërisim: një gjykim i padrejtë, i pabazuar në fakte, i pabazuar në dëshmi, dhe një vendim i cili e cenon rëndë historinë, të kaluarën, por edhe të ardhmen e Kosovës. Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka bërë luftë të drejtë, luftë të pastër. Populli i Kosovës është organizuar për liri, për shtet, për pavarësi dhe ne ia njohim të drejtën që secili qytetar i Kosovës, pavarësisht dallimeve etnike e religjioze apo çfarëdo qoftë, të jetojë i lirë në shtetin e Kosovës. Por shprehim mospajtim të thellë me këtë vendim të gjykatës dhe unë jam i bindur që ky vendim, mbi bazën e fakteve, të argumenteve, do të ndryshojë”, u shpreh Hamza. Sipas tij, pakënaqësia ndaj këtij aktgjykimi nuk është vetëm qëndrim partiak i PDK-së, por një reagim mbarëshoqëror që përfshin qytetarët, rininë, artistët, sportistët, akademikët dhe profesorët e vendit. “Pse? Këtë lloj mospajtimi nuk po e theksojmë vetëm ne si forcë politike, si Parti Demokratike. Po e thonë qytetarët e Kosovës, po e thonë të rejat e të rinjtë e Kosovës, po e thonë artistët e Kosovës, po e thonë sportistët e Kosovës, po e thonë akademikët, profesorët, gjithë ata të cilët e kanë parë këtë proces se si është zhvilluar”, deklaroi ai. Hamza bëri të ditur se PDK-ja do të vijojë angazhimet e saj për të siguruar drejtësi, duke rikujtuar projektligjin që kjo parti ka dorëzuar në Kuvend më 21 shtator për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, nismë kjo që ka ngjallur reagime dhe qëndrime të ndryshme mes subjekteve politike. “Ne vazhdojmë me punën që të ketë drejtësi. E kemi proceduar ligjin në Kuvend. Kemi kërkuar dhe kërkojmë mbështetje edhe nga partitë tjera politike që ligji të procedohet sa më shpejt dhe ky ligj të jetë në fuqi sa më shpejt. Dhe një prej pikave të deklaratës, e cila është votuar unanimisht në mbledhjen e Kryesisë, është shqyrtimi institucional i nismave ligjore të Dhomave të Specializuara”, tha ai. Në fund, i pari i PDK-së u bëri thirrje për një mbështetje më të gjerë juridike dhe institucionale, duke nënvizuar se kjo çështje i tejkalon kufijtë e një partie apo të një mandati të vetëm qeverisës, pasi UÇK-ja i përket gjithë popullit dhe është themeluar shumë para se të ekzistonte vetë Partia Demokratike e Kosovës.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:
Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar