Kronikë
Start shpërthyes në Superligën e volejbollit: Partizani fiton derbin, triumfojnë edhe Tirana e Teuta
Reklamë e Sponsorizuar
Ka nisur zyrtarisht këtë të shtunë edicioni i ri 2026-2027 i Superligës në volejboll për femra, duke dhuruar menjëherë emocione dhe sfida interesante në parket.
Kampionet në fuqi të Pogradecit e kanë nisur mbrojtjen e titullit me këmbën e mbarë, duke triumfuar 3-2 ndaj Skënderbeut në derbin e zjarrtë juglindor. Ndeshja, e cila u zhvillua në fushën e pogradecareve, ishte tejet e luftuar dhe u vendos vetëm pas pesë seteve të plota, ku rezultatet e pjesëve ishin 25-23, 18-25, 25-21, 11-25 dhe 15-13.
Një tjetër sfidë e vëmendshme ishte edhe derbi i kryeqytetit mes Dinamos dhe Partizanit, i cili u takoi “të kuqeve” me rezultatin e pastër 3-0. Vajzat e Partizanit nuk patën vështirësi të mëdha për të siguruar tri pikët e para, me sete që përfunduan 25-23, 25-25 dhe 25-14, teksa me kalimin e minutave ritmi i dinamoviteve pësoi rënie duke i dhënë epërsinë e plotë rivaleve.
Nga ana tjetër, Tirana nuk ka falur në shtëpi, duke mposhtur me rezultatin 3-0 Lushnjën në një duel që ngjante më shumë me një seancë stërvitore për bardheblutë, të cilët dominuan me shifrat 25-6, 25-12 dhe 25-12. Sukses të pastër ka regjistruar edhe Teuta në transfertë, e cila mposhti 3-0 Vllazninë në Shkodër, duke kontrolluar plotësisht lojën në të tria setet (25-15, 25-16, 25-18).
Pas ndeshjeve të javës së parë, renditja e Superligës kryesohet nga Tirana, Teuta dhe Partizani me nga 3 pikë secila, të ndjekura nga Pogradeci me 2 pikë dhe Skënderbeu me 1 pikë, ndërsa Dinamo, Vllaznia dhe Lushnja mbyllin klasifikimin pa pikë.
Ndërkohë, në Kategorinë e Parë për femra, për llogari të javës së parë, Flamurtari ka mposhtur Apoloninë me rezultatin 3-1. Pas kësaj jave, renditja e kësaj kategorie kryesohet nga Studenti, Flamurtari dhe Mirdita me nga 3 pikë, ndërsa Korabi, Apolonia dhe Elbasani mbeten pa pikë.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: