Aktuale
Gjilani përkujton 65-vjetorin e lindjes së heroit Nuhi Berisha
Reklamë e Sponsorizuar
Gjilani është bërë sot qendra e aktiviteteve përkujtimore në nderim të 65-vjetorit të lindjes së heroit të kombit, Nuhi Berisha. Përmes një sërë ngjarjesh, janë evokuar jeta, vepra dhe sakrifica e tij sublime, ndërsa është promovuar edhe monografia “Militanti”, e shoqëruar me ekspozimin e fotografive, relikteve dhe dëshmive të ndryshme nga rrugëtimi i tij jetësor.
Për bashkëveprimtarët, figura e Nuhi Berishës mishëron idealin e pastër për liri dhe vendosmërinë e një brezi të tërë që iu përkushtua çlirimit të vendit. Kujtimi për të mbetet i gjallë në ndërgjegjen kombëtare si një nga shtyllat e sakrificës sonë historike.
“Jam shumë krenar që i kam takuar një brezi të tillë të Nuhi Berishës e që uniformën ushtarëve që ua kam veshur, po ajo ka qenë ideali i Rexhep Malës e Nuhi Berishës. Është ideal i tyre, amanet i tyre, edhe e ka mbërritur Kosova lirinë pikërisht duke u bazuar në heroizmin e tyre”, u shpreh bashkëveprimtari Ahmet Isufi.
Ndërkaq, ish-i burgosur politik, Nezir Myrtaj, vuri në pah se data 12 janar 1984 shënon momentin e përjetësimit të heroit, duke shtuar se dëshmorët nuk nderohen me vajtime, por me lartësimin e veprës së tyre.
“12 janari i vitit 1984 është dita e përjetësimit të tij. Sikur të gjithë therorët e lirisë edhe Nuhiu ka vetëm ditëlindje. Dëshmorët nuk kanë ditë të vdekjes, prandaj ata nuk qahen e as vajtohen, atyre iu përket lavdia”, tha Myrtaj.
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, përmendi mbështetjen e institucioneve lokale në organizimin e këtyre aktiviteteve dhe në botimin e monografisë kushtuar heroit, duke e cilësuar këtë si një nder të veçantë për qytetin.
“Jam shumë krenar e para së gjithash jam i nderuar shumë që kam pasur mundësinë të jem në mbështetje të këtyre dy ditëve të aktiviteteve. Jam shumë i lumtur që kemi arrit të botojmë edhe monografinë”, theksoi Hyseni.
Autor i monografisë “Militanti”, Agim Sylejmani, ka ndarë me të pranishmit detaje nga jeta dhe angazhimi i hershëm i Berishës në lëvizjen çlirimtare, duke kujtuar përplasjen e tij të parë me forcat policore serbe gjatë demonstratave të vitit 1981.
“Derisa Rexhepi kishte një veprimtari më të gjatë që nga viti 1968 si gjimnazist, Nuhiu ishte vetëm 20 vjeç kur në Prishtinë u përlesh për herë të parë me milicinë speciale serbe që kishte ardhur për të shtypur me gjak demonstratat studentore e gjithëpopullore në pranverën e kuqe të vitit 1981, pjesëmarrës aktiv i të cilave ishte edhe ai”, u shpreh Sylejmani.
Trashëgimia dhe figura e Nuhi Berishës dhe e bashkëveprimtarëve të tij vazhdojnë të mbeten të paharrueshme, duke u përcjellë brez pas brezi përmes dokumentimit të saktë historik dhe dëshmive të bashkëkohësve.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: