Aktuale
Ultimatumi i OVL-UÇK-së: Mungesa e marrëveshjes deri të dielën sjell protestë para Parlamentit
Reklamë e Sponsorizuar
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka ngritur alarmin për përshkallëzim të protestave të saj, nëse brenda ditës së nesërme (e diel) nuk arrihet një akordim politik dhe procedural që i hap rrugë miratimit të ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
Përmes një njoftimi zyrtar në rrjetet sociale, kjo organizatë i ka bërë thirrje qytetarëve që të hënën, më 5 tetor, duke filluar nga ora 12:00, të bashkohen në një tubim protestues para ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, si shenjë revolte ndaj qasjes aktuale qeveritare.
"Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së i fton të gjithë qytetarët që të hënën, më 5 tetor, nga ora 12:00, të mblidhemi para Kuvendit të Kosovës për të shprehur pakënaqësinë ndaj kësaj qasjeje të papërgjegjshme të pushtetit. Kategoritë e dala nga lufta e UÇK-së janë thellësisht të indinjuara me qasjen e z.Kurt, i cili po bënë kalkulime politike edhe me dhimbjen, sakrificën dhe dinjitetin e qytetarëve të Kosovës. Afati për arritjen e një marrëveshjeje politike dhe procedurale që do të mundësonte votimin e menjëhershëm të të dy leximeve të plotësimeve dhe ndryshimeve të Ligjit për Gjykatën Speciale, për veteranët e UÇK-së është vetëm deri nesër, e diel", theksohet në reagim.
Sipas OVL-UÇK-së, skenari i të hënës do të varet tërësisht nga reflektimi i ekzekutivit gjatë fundjavës, ndërsa kanë paralajmëruar hapa më të ashpër institucionalë dhe qytetarë në rast të dështimit të dialogut.
"Nëse deri nesër nuk ka dakordim, nga e hëna veteranët e UÇK-së do t’i përshkallëzojnë veprimet e tyre. Ky pushtet, në vend që të dëgjojë zërin e qytetarëve dhe ta adresojë qartë këtë çështje, po vazhdon të shtyjë, të kalkulojë dhe të abuzojë politikisht me një çështje që prek drejtpërdrejt mijëra familje dhe njerëz që bartin plagët e luftës. Veteranëve dhe qytetarëve të Kosovës u është shterur durimi. Të hënën, në ora 12:00, ju ftojmë të gjithëve para Kuvendit të Kosovës", përfundon deklarata e organizatës.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: