Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Aktuale

“U shtira si i vdekur mes 275 viktimave” – Rrëfimi rrëqethës i Elbasan Bunjakut për masakrën e Vërbocit

Redaksia Lajmetereja • 03-10-2026 18:41
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
“U shtira si i vdekur mes 275 viktimave” – Rrëfimi rrëqethës i Elbasan Bunjakut për masakrën e Vërbocit
Për Elbasan Bunjakun, çdo kthim në fshatin Vërboc të Drenasit sjell në vëmendje plagët e rënda të së kaluarës dhe kujtimet e dhimbshme të fëmijërisë. Plot 27 vite më parë, kur ishte vetëm 13 vjeç, ai ka rrëfyer me lot në sy tmerrin e përjetuar gjatë masakrës së Vërbocit, një ngjarje e rëndë ku humbën jetën gjithsej 275 shqiptarë. I riu kishte mbetur i vetmi i mbijetuar pasi grupi me të cilin po përpiqej të largohej përmes pyllit u ekzekutua papritur, duke e lënë atë të shtrirë mes trupave të pajetë për tri ditë e tri net me radhë. “Na kanë gjuajtur të gjithëve ne grupin që kemi qenë shtatë apo tetë persona. Shumicën i kanë rrokë sa kemi qenë aty dhe fatmirësisht mua nuk më kanë rrokë, jam bërë sikur i vdekur. Ka në ardh prapë për së dyti e kush ka lëvizë i kanë gjuajtur për së dyti, dikë e kanë zënë edhe të gjallë, por sytë i kam pas qelë i kam parë forcat serbe edhe kam qëndruar për tri ditë e tri net pa hëngër pa pi”, ka treguar Bunjaku. Askush nuk ka qenë në dijeni se në mesin e kufomave gjendej një fëmijë i gjallë, derisa kishin kaluar tri ditë të plota. “Në natën e tretë kur janë ardh me i varros trupat që janë kanë këtu të vdekur, ndër ta jam kanë edhe unë aty, por askush nuk e ka ditë që unë jam i gjallë. Unë vetëm i kam lëvizë pak sytë edhe njëri këtu fqinjtë e nipave kur është radha te unë për me më varros, kur më kanë rrotulluar i kam lëvizë pak sytë edhe ai pak është trembë, ju ka tregu atyre nipave e ju ka thanë që Elbasani është gjallë”, ka deklaruar ai. Pas një periudhe kaq të gjatë pa ushqim dhe pa pikë uji në kushte ekstreme, gjendja shëndetësore e djaloshit 13-vjeçar ishte përkeqësuar ndjeshëm. “Unë e kam pasur gjendjen shumë të rëndë se tre ditë pa hëngër e pa pijë u kanë shumë e vështirë shumë e rëndë edhe si i ri 13 vjeçar”, kujton ai me hidhërim. Megjithatë, mbijetesa e tij u shoqërua me një humbje të pazëvendësueshme, pasi mes viktimave të kësaj masakre ndodhej edhe babai i tij. “Ka qenë shumë e vështirë, por ashtu ka qenë e shkruar. Kanë qenë raporte të mira sikur baba me djalin më edhe djali me babë, por kështu ish kanë e shkruar asgjë nuk është varur nga unë, kam mundur me pas fatin edhe unë si këta tjerët me vdekë, por ka deshtë Zoti. Ka qenë shumë e vështirë, por ashtu ka qenë e shkruar”, është shprehur Elbasani. Edhe pas 27 vitesh nga kjo tragjedi, Bunjaku i bën thirrje institucioneve shtetërore që të angazhohen më shumë për zbardhjen e plotë dhe vënien para drejtësisë të autorëve të këtij krimi makabër.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:
Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar