Botë
Akuzat në televizion, Behgjet Pacolli paralajmëron padi të hënën në Tiranë dhe Lugano kundër Manjanit dhe Currit
Reklamë e Sponsorizuar
Biznesmeni dhe politikani i njohur, Behgjet Pacolli, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të bëra së fundmi në një emision televiziv, duke i cilësuar ato si shpifje të ulëta dhe pretendime plotësisht të pavërteta që cenojnë integritetin e tij.
Pas një udhëtimi të gjatë, Pacolli ka njoftuar se ditën e hënë do të ndërmarrë hapa konkretë juridikë. Ai do t'i drejtohet zyrtarisht institucioneve kompetente dhe gjykatave si në Tiranë, ashtu edhe në Lugano, për të ballafaquar me prova, dokumente dhe përgjegjësi ligjore ish-ministrin Ylli Manjani dhe opinionistin Arjan Curri.
Sipas Pacollit, akuzat e ngritura ndaj tij në emisionin e moderuar nga Grida Duma synojnë dëmtimin e reputacionit të tij dhe të kompanive që ai ka ndërruar ndër vite përmes punës së ndershme. Ai theksoi se ndonëse kritika është e mirëpritur në një shoqëri demokratike, shpifja dhe paraqitja e gënjeshtrave si të vërteta nuk do të tolerohen më.
Kjo nuk është hera e parë që ai ndjek rrugën ligjore ndaj personave në fjalë, pasi edhe për deklarata të mëparshme çështjet janë dërguar në gjykatë. Pacolli u shpreh i vendosur se nuk do të lejojë që emri dhe djersa e tij të përdoren për qëllime të errëta, duke shtuar se opinioni publik ka nevojë për informim të bazuar në fakte dhe jo për linçime publike nga ana e atyre që i quajti shpifës me pagesë.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: