Aktuale
Dramë në Paqësor: Balenat fundosin jahtin, katër marinarë shpëtohen mrekullisht pas 18 orësh ankthi
Reklamë e Sponsorizuar
Katër anëtarë të ekuipazhit kanë mundur t'i shpëtojnë vdekjes në ujërat e Paqësorit Jugor, pasi jahti i tyre u godit dhe u mbyt nga një tufë balenash.
Pas përplasjes fatale, detarët u detyruan të kalonin orë të gjata brenda një gomoneje emergjence, derisa u pikasën dhe u morën në bord nga një anije tregtare.
Ngjarja ndodhi teksa Jemma dhe Jeremy Cooper, së bashku me Terry Hetherington dhe Martin Jaffre, po lundronin me jahtin e tyre të quajtur 'Tai Tam'. Ata ndodheshin në një zonë të izoluar të oqeanit, në distancë të largët nga Ishulli Norfolk, kur u tronditën nga një goditje e papritur dhe tejet e dhunshme që solli përmbysjen e mjetit lundrues.
Jemma Cooper, e cila është shtetase australiane, tregoj se si forca e jashtëzakonshme e goditjes e hodhi papritur nga pozicioni i timonit. Sapo ktheu sytë drejt detit, ajo vuri re praninë e një tufe balenash orka.
"Kthyem kokën majtas dhe pamë gjashtë deri në tetë balena. Në atë moment gjithçka u bë e qartë se çfarë kishte ndodhur", u shpreh ajo, duke shtuar se madhësia e kafshëve detare ishte e barabartë me vetë gjatësinë e anijes.
Në çastin e përplasjes, Jeremy Cooper po flinte në kabinën e poshtme, por tronditja e fortë e shkëputi menjëherë nga gjumi.
"Kuptuam menjëherë se situata ishte bërë kritike", u shpreh ai. "Të gjitha mekanizmat e drejtimit në krahun e djathtë kishin dalë jashtë funksionit dhe uji kishte nisur të vërshonte masivisht brenda."
Vetëm tridhjetë minuta më vonë, ekuipazhi lëshoi alarmin e emergjencës. Ndërkohë që prisnin ndihmën, ata u përpoqën me dëshpërim të shkarkonin ujin e futur në mjet. "Ne dërguam një sinjal paralajmërues", deklaroi Terry Hetherington, i cili vjen nga Zelanda e Re.
Përveç dëmeve të tjera, timoni ishte shkatërruar plotësisht dhe ishte bërë i papërdorshëm.
Për të parandaluar depërtimin e mëtejshëm të ujit, Jaffre ndërmori një zhytje për të kontrolluar dëmtimet në pjesën e poshtme të trupit të jahtit, ndërkohë që pjesëtarët e tjerë punonin pa pushim duke pompuar ujin me dorë për të shmangur përmbytjen e motorit.
Rreth orës së mesnatës, duke përfituar nga një det i qetë dhe drita e hënës së plotë, ata braktisën jahtin e dëmtuar dhe u futën në gomonen e shpëtimit.
Pas një kalvari prej 18 orësh pasigurie dhe ankthi për jetën, katër udhëtarët u shpëtuan me sukses nga 'MV Sofrana Surville', një anije kontejnerësh me gjatësi 143 metra, e cila mbërriti në vendngjarje mëngjesin e ditës së nesërme.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: