Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Aktuale

Hojlund sqaron festimin e Ronaldos: E bëra për nder të tij, s'kishte asnjë qëllim keqdashës

Redaksia Lajmetereja • 02-10-2026 15:21
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
Hojlund sqaron festimin e Ronaldos: E bëra për nder të tij, s'kishte asnjë qëllim keqdashës
Sulmuesi Rasmus Hojlund ka hedhur poshtë çdo aludim se ka treguar “mosrespekt” ndaj përfaqësueses së Portugalisë, pasi përdori festimin ikonik të Cristiano Ronaldos gjatë humbjes 4-2 që Danimarka pësoi të enjten mbrëma. Në takimin e vlefshëm për Ligën e Kombeve të zhvilluar në Kopenhagë, Hojlund realizoi në minutën e 53-të për të barazuar shifrat në 2-2, moment ky kur zgjodhi të festonte në stilin e njohur “Siu” të bashkëkombësit portugez. Kjo ngjarje ndodhi vetëm një ditë pasi Ronaldo ishte larguar nga grumbullimi i kombëtares portugeze, menjëherë pas konferencës për shtyp të trajnerit Jorge Jesus. Sulmuesi legjendar kishte mbetur në bankën rezervë pa u aktivizuar fare në fitoren 2-1 kundër Norvegjisë në fillim të javës. Duke folur para gazetarëve pas përfundimit të ndeshjes ndaj Danimarkës, Hojlund u shpreh: “E bëra atë festim si një nderim për Cristiano Ronaldon, pas gjithçkaje që i ndodhi. Thjesht doja ta nderoja. Ai është idhulli im. Nuk kishte asnjë mosrespekt për ekipin e Portugalisë”. Menjëherë pas vërshëllimës së fundit të gjyqtarit, Hojlund pati një moment ku e preku Jorge Jesusin në gjoks, gjest që solli buzëqeshjen e trajnerit portugez, ndonëse nuk dihej saktësisht nëse sulmuesi danez e kishte përjetuar në të njëjtën mënyrë. Megjithëse Hojlund nuk pati fatin të luante përkrah Ronaldos te Manchester Unitedi — pasi portugezi u largua nga “Old Trafford” shtatë muaj para se danezi të transferohej atje — ai kishte bërë të ditur qysh në verën e vitit 2023 se e kishte idhull atë që prej fëmijërisë. “Babai im ma prezantoi atë kur nuk isha shumë i vogël. Ai ma prezantoi Cristiano Ronaldon dhe donte që ta kisha idhull, sepse ai ka një mentalitet të mirë… për mua, Ronaldo është lojtari më i mirë i të gjitha kohërave”, kishte deklaruar më parë Hojlund për “Sky Sports”. Sipas gazetarit Edu Aguirre nga “El Chiringuito”, trajneri Jesus i kishte premtuar Ronaldos se do ta pranonte publikisht gabimin për mosaktivizimin e tij ndaj Norvegjisë, gjë që nuk ndodhi në konferencën pasuese për media, duke ndikuar kështu në vendimin e sulmuesit për të braktisur grumbullimin. “Çdo lojtar, kur kalon 20 apo 30 minuta duke u nxehur dhe më pas nuk futet në lojë, askush nuk është i lumtur për këtë. Si trajner, vendosa të mos e aktivizoja”, pati thënë më herët Jesus. Pas largimit nga kampi portugez, vetë Ronaldo lëshoi një deklaratë zyrtare në profilin e tij në “Instagram”. “Pas konferencës për media të trajnerit të kombëtares dhe pas një bisede me presidentin e Federatës Portugeze të Futbollit, vendosa të largohem nga grumbullimi i kombëtares. Në kohën e duhur, do t’ua tregoj portugezëve të vërtetën për arsyet e largimit tim nga kombëtarja, së cilës gjithmonë i jam përkushtuar. Tani është koha t’i uroj fat Portugalisë dhe të gjithë bashkëlojtarëve të mi, pa përjashtim”, shkroi ai ndër të tjera. Mbi këtë situatë kanë folur edhe disa prej bashkëlojtarëve të Ronaldos te Përfaqësuesja e Portugalisë. Mbrojtësi i Paris Saint-Germain, Nuno Mendes, theksoi se do ta “mirëpriste” me kënaqësi Ronaldon, apo çdo lojtar tjetër portugez, përsëri në radhët e kombëtares. Nga ana tjetër, mbrojtësi i Villarrealit, Renato Veiga, u tregua më i rezervuar duke thënë se ishte “udhëzuar” të mos fliste për 41-vjeçarin, por shtoi se ka “shumë respekt” për të. Ndërkohë, para fillimit të ndeshjes ndaj Danimarkës, trajneri Jesus komentoi gjithashtu situatën e krijuar duke u shprehur: “Do ta shpjegoj gjithçka pas ndeshjes së fundit. E di se nuk bëra asgjë që do të duhej të bënte gjërat të shkonin ndryshe… Nuk do të fshihem dhe nuk do të iki prej kësaj. Askush nuk mund ta heqë atë që përfaqëson Cristiano. Ai është ikonë dhe kjo nuk vihet në diskutim”.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:
Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar